Modelja Klea Prenga ka reaguar sërish në rrjete sociale lidhur me rastin e motrave Antonela dhe Mariela Berisha.
Pas një postimi të fundit në InstaStory nga nëna e tyre, Donika Marashi, Klea ka ndarë një koment të ofendues të së ëmës, duke theksuar indinjatën e saj.
Në postimin e saj, Klea shprehu shqetësimin për fjalët e rënda, duke vërtetuar se çfarë thotë nëna e motrave Berisha dhe çfarë vepron janë krejt të ndryshme. Për këtë ajo ka risjellë në vëmendje sherrin e dhunshëm dhe një koment të nënës së motrave Berisha, e cila thoshte se ajo është shitur për 500 euro.
“Marr shkak të bëj këtë postim pasi mamaja e dy personave që kryen sulmin brutal ndaj meje ka vendosur të postojë në Instagram Story një deklaratë ku përmend faktin që distancohet publikisht nga çdo adresë që është hapur për të denigruar palën tjetër që jam unë. Kjo e njëjta person, në momentin kur unë publikova fotot e plagëve pas sulmit, ishte një ndër komentueset e para, koment të cilin e fshiu brenda 5 minutash. Ajo përdori një gjuhë të degjeneruar dhe të pahijshme kundër meje dhe motrës time, duke vërtetuar se fjalët dhe veprimet e saj janë krejt të ndryshme nga ajo që pretendon publikisht. Po i rikujtoj zonjës komentin e saj dhe fjalorin e përdorur me foton më poshtë.
Prej disa javësh, jam përballur me dhjetëra profile të rreme në TikTok të hapura nga i njëjti person, të cilat postojnë komente fyese dhe denigruese ndaj meje në mënyrën më të ulët të mundshme. Për më tepër, janë postuar edhe foto të familjarëve të mi. Unë qëndroj gjithmonë e hapur dhe e sinqertë përballë publikut, pa u fshehur pas identiteteve të rreme. Ndryshe nga disa njerëz, unë nuk përdor fjalë të ulëta apo komente fyese për t’u mbrojtur apo për të sulmuar dikë tjetër. E vërteta ime është publike dhe e qartë për këdo që ka parë dhe të shohë faktet. Drejtësia dhe e vërteta gjithmonë dalin në dritë, pavarësisht se sa kohë mund të marrë”.