Një simulim rrëqethës që tregon Londrën duke u shkatërruar pas një sulmi bërthamor u shfaq nga një kanal televiziv rus.
Një sulm katastrofik bërthamor në Londër që do të shkaktonte 850,000 vdekje dhe dy milionë të plagosur duket se është transmetuar në një kanal televiziv rus.
Sipas Daily Mail , transmetimi i videos katër-minutëshe me titra në anglisht është masa e fundit e Rusisë në një fushatë të bashkërenduar për të frikësuar Britaninë që të mos i japë Ukrainës leje për të përdorur raketat “Storm Shadow”.
Videoja, e cila u shfaq në kanalin Telegram dhe Tsargrad , fillon me kërcënimin: “Imagjinoni për një moment që kjo të ndodhë: Një bombë bërthamore bie në Londër . Në këtë dokumentar, ne eksplorojmë pasojat dramatike të kësaj fatkeqësie. Në simulim, ne do të përdorim një kokë lufte me rendiment prej 750 kilotonësh. Kjo është një ngarkesë shumë e fuqishme .’
“Gjatë shpërthimit, një top i zjarrtë i nxehtë sa dielli zgjerohet me shpejtësi, duke arritur një rreze prej 950 metrash. Çdo gjë e kapur në këtë top zjarri do të avullojë menjëherë,” thuhet në video.
Madje, në video ka edhe një timer që tregon numrin e vdekjeve të mundshme.
Në një pikë tjetër rrëfimtari i dokumentarit shprehet se “ndërtesat do të shkatërrohen dhe mbeturinat do të mbushin rrugët, duke krijuar kushte jashtëzakonisht të rrezikshme për të gjithë në zonë. Duke pasur parasysh dendësinë e popullsisë në qendër të Londrës, numri fillestar i vdekjeve mund të kalojë 250,000 njerëz dhe rreth 600,000 të plagosur, ndërsa në një rreze prej 10 km rrezatimi do të shkaktojë djegie të shkallës së tretë.
Videoja pretendon se “sipas vlerësimeve të ndryshme, 450,000 njerëz të tjerë do të vdesin nga djegiet, mbeturinat, lëndimet ose sëmundjet e rrezatimit dhe mbi një milion do të pësojnë trauma”.