Prej disa ditësh në rrjet, po qarkullon një video, ku disa djem shfaqen duke kërcyer valle popullore me një nga këngët e Michael Jackson.

Kjo video është bërë virale, duke u kthyer në një trend. Madje, kjo video u shfaq edhe në një emision grek, duke u komentuar nga moderatorët fqinjë, të cilët kanë deklaruar se janë nga Kallamata.

Dy nga djemtë që kanë kërcyer këtë valle, vëllezërit Erlin dhe Klejdi Dedej, dhe DJ Alment Boçi, kanë ndarë detaje në emisionin “ABC e Mëngjesit“, si lindi ideja e kësaj valle të pazakontë.

“Ne jetojmë aktualisht në zonën e Periugës.

Dhëndri ka qene shumë i lumtur për atë që ndodhi, nuk priste as ai që të bëhej aq virale. Ne nuk kemi pasur ftesë nga programi grek, mirë do të ishte të kishim që të tregonim se nga jemi. Nuk e mendonim kurrë që një emision grek do na transmetonte. Zgjodhëm Michael Jackson se përshtatet shumë me vallen tonë dhe muzika e tij është shumë ritmike”, tha Erlin.

Ndërsa, DJ Alment Boçi, i cili vendosi këngën ka thënë: “Ideja për herë të parë ishte e Arlindit. Çunat e kërcenin shpesh dhe unë bashkë me ta. Kemi kërcyer herë pas here dhe këngë të tjera. Tani nëpër dasma po ma kërkojnë shumë këngën e Michael Jackson. Tani kemi shumë ide dhe djemtë duan të bëjnë këngë të tjera, por nuk e dimë ende se çfarë do të bëhet pasi djemtë jetojnë jashtë”.