Gjashtë ndeshje konkurruese, gjashtë fitore. Nën drejtimin e trajnerit të ri, Vinsent Kompani, Bayern nisi një fillim të shkëlqyer të sezonit. Dueli i parë i vërtetë kundër kampionëve në fuqi Bajer Leverkusen i pret këtë fundjavë.
Gjigandët e Mynihut janë shumë të motivuar pas paraqitjeve të tyre të fundit, siç e bën të qartë Joshua Kimish. Me një normë fitoreje prej 100 për qind dhe 33 gola të shënuar, skuadra bavareze po kalon me shumë vetëbesim në ndeshjen e javës së 5 të Bundesligës kundër “Aspirinave”. Kapiteni i ri i Gjermanisë Joshua Kimish tani ka folur për testin e ardhshëm të qëndrueshmërisë në një intervistë për mediat e klubit. Lojtari 29- vjeçar thekson pozicionin optimal të ekipit.
JOSHUA – “Jemi tri pikë përpara. Ne kemi ndeshjen në shtëpi dhe kemi pasur disa takime vërtet të mira. Mund të ndihet edhe ideja dhe stili i lojës nën Vinsent Kompani. Ajo që na jep vetëbesim është mënyra se si kemi luajtur futboll. Pavarësisht pesë apo gjashtë golave, në fund ka të bëjë me fitoren, por kur triumfon në këtë mënyrë, padyshim që të jep besim në forcat e tua dhe këtë do ta tregojmë të shtunën, duke mposhtur pa frikë Leverkusen”, tha Kimish.
Ndërsa rekordmenët gjermane synojnë fitoren e tyre të radhës kundër Xhakës me shokë, skuadra e Ksabi Alonso do të bëjë gjithçka që është e mundur për të marrë diçka të vlefshme nga Mynihu. Mbrojtësi Xhonatan Tah, i cili tërhoqi vëmendjen me një deklaratë “luftarake” gjatë këtyre ditëve. Për top ndeshjen e ardhshme kundër Bajernit, qendërmbrojtësi tha për “ARD”: “Ne jemi absolutisht gati, 100 për qind. Po e presim me padurim, e dimë se do të jetë një lojë e vështirë dhe ata do të japin gjithçka. Sigurisht që ne shkojmë atje me besim të plotë. E dimë se çfarë mund të bëjmë. Duam gjithçka dhe sigurisht të kthehemi në shtëpi me fitore”, tha me siguri 28-vjeçari Tah.