Gazetarja Klodiana Lala, në emisionin “Të Paekspozuarit”, u shpreh se ish-kryeministri Berisha do të ketë përballjen e parë reale me drejtësinë, pas komunikimit për mbylljen e hetimeve nga SPAK dhe nisjen e gjyqit, nëse kalon në seancën paraprake.
“SPAK e mori të pandehur dhe, sipas ligjit, i lë 10 ditë afat. Ditën e sotme i është komunikuar përfundimi i hetimeve Fatmir Bektashit, që ishte në SPAK i shoqëruar nga avokati.
Të mërkurën do të jetë zoti Berisha.
Në momentin që komunikohet përfundimi i hetimeve, kanë dhjetë ditë afat për prapësimet dhe dosja shkon në seancë paraprake. Gjykatësi paraprak vendos nësë janë kryer hetime të plota. Kjo do të jetë përballja e Berishës.
Mjeku Edvin Prifti u hetua 4 vite dhe gjykata e ktheu për hetime plotësuese, për të thënë se nuk ishin sqaruar.
Kjo është beteja e parë reale e zotit Berisha dhe personave të tjerë, me drejtësinë shqiptare. Aty do të kuptohet nëse është akuzë e montuar dhe sulm siç pretendon Berisha, apo dosja ka brum, prova dhe fakte për të kaluar në gjykim themeli.
Ka tre mundësi, ose kalon për gjykim, ose rikthehet, ose rrëzohet. Është një filtër që zoti Berisha duhet të kalojë.
Të mërkurën jodetyrimisht duhet të paraqitet personalisht Berisha, mund të shkojë edhe avokati”-tha Lala.