Pavarësisht kritikave dhe akuzave, kandidati për president Donald Trump priti në “kullën” e tij në Nju Jork presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Lufta në Ukrainë, dhe rëndësia që ajo të marrë fund sa më shpejt raportohet të ketë qenë temë e diskutimit mes dy liderëve.
Kandidati republikan e ka kritikuar vazhdimisht liderin ukrainas gjatë fushatës elektorale dhe një takim mes tyre dukej i pamundur disa orë më parë.
Ndërsa qëndronin krah për krah, Zelensky tha se mendonte se ata kishin një pikëpamje të përbashkët se lufta duhet të ndalet dhe Putini nuk mund të fitojë, duke shtuar se ai do të diskutonte me Trump detajet e planit të tij të fitores.
Trump nga ana tjetër këmbënguli se kishte një marrëdhënie shumë të mirë me Zelensky: “Unë gjithashtu kam një marrëdhënie shumë të mirë siç e dini me Presidentin Putin dhe mendoj se nëse fitojmë zgjedhjet do ta zgjidhim këtë çështje shumë shpejt”, shkruan A2.
Që kur Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt 2022, Trump ka përsëritur shpesh pikat e bisedimeve të Moskës për luftën. Gjatë debatit presidencial të shtatorit, ai anashkaloi një pyetje nëse donte që Ukraina të dilte fituese në konflikt.