Projekti i gazifikimit të Korçës është ende në fazë paraprake. Kështu ka deklaruar nga Korça ambasadori i Azerbajxhanit në Shqipëri Anar Huseynov, i cili shtoi se vetëm vitin e ardhshëm pritet që të kemi një projekt konkret.
“Jemi ende në bisedime me shtetin shqiptar, jemi në fazën që po përgatitim dokumentacionin dhe bazën ligjore. Këtë vit po finalizojmë këtë fazë, ka ende dhe pak punë, është projekt i madh ndaj ka pak burokraci dhe pas pak do të nisim dhe ideimin e projektit. Ne kemi dëshirë që projektin pilot ta kemi gati për vitin e ardhshëm”, tha ai. Për kryetarin e bashkisë të Korçës Sotiraq Filo, gazifikimi do të jete projekti që do të sjellë infrastrukturën e Korçës në standarde europiane, ashtu siç nëpërmjet tij garantohen edhe ngrohja e familjeve korçare.
“Është një prej projekteve tona më madhore”, tha kryebashkiaku, raporton A2 CNN. “I cili do të përmbyllë ndërhyrjet në infrastrukturën bazë të qytetit të Korçës, pas rindërtimit të ujësjellës-kanalizimeve, ndërtimit të landifillit, ky projekt do ta sjellë infrastrukturën bazë të Korçës në standarde europiane. Është një projekt përmes të cilit synojmë të japim një alternative të përballueshme për të zgjidhur ngrohjen gjatë dimrit. QË gjithashtu do të jetë shumë më miqësore me mjedisin se sa është përdorimi masiv i drurit për zjarr”.
70% e këtij projekti do të përballohet nga qeveria shqiptare ndërkohë që pjesa tjetër do të jetë mbështetje nga ana e qeverisë së Azerbajxhanit, e projektuar nga kompania e mirënjohur SOKAR, ndërkohë që linja e gazit do të përfitohet nga ana e projektit ndërkombëtar TAP. (A2 Televizion)