Në paraqitjen e tij të dytë para prokurorëve Sali Berisha kishte një numër të ulët të mbështetësve dhe deputetëve që e përkrahin, të cilët u bashkuan protestës kundër SPAK, që u organizua për t’i ushtruar presion drejtësisë ndërsa ish-kryeministri u mor i pandehur për aferën Partizani.
Përveç grupit të besnikëve të tij që i ka pasur pas vete në çdo nismë gjatë këtyre 3 viteve të fundit, në protestën përballë SPAK për herë të parë u panë edhe deputetët që deri para pak muajsh cilësoheshin deputetët e grupimit të Gazment Bardhit.
Bashkë me këtë të fundit, në sheshin para SPAK ishin edhe Ervin Salianji, Saimir Koreshi, Agron Gjekmarkaj, Nallbati apo Dhurata Çupi.
Por sërish edhe këtë herë Jorida Tabaku mungoi, duke konfirmuar se pavarësisht që u bashkua me grupin parlamentar demokrat nuk është 100% në në sinkron me linjën zyrtare të PD.