Aurora Polo është zgjedhur kryetarja e komanduar e Radio Televizionit Shqiptar, duke zëvendësuar në këtë pozicion Afred Pezën, i cili dha dorëheqjen disa javë më parë, nën hijet e një skandali seksual në korridoret e institucionit. Vendimi për komandimin e Polos në këtë pozicion është marrë nga Bordi drejtues i RTSH-së, ndërkohë që nuk dihet ende se kur do të hapet gara për drejtorin e ri me mandat të plotë. Deri tani Polo ka qenë në postin e nëndrejtoreshës së Televizionit Publik.
Alfred Peza dha dorëheqjen e parevokueshme nga drejtimi i RTSH-së, pasi qëndroi në detyrë për më shumë se 1 vit, ndërsa u përball me akuza të shumta për largime të padrejta nga puna dhe emërime nepotike.
“Të nderuar, Në zbatim të ligjit nr. 97, datë 04. 03. 2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë dhe vendimit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë nr. 98, datë 22. 12. 2016 “Për miratimin e statutit të RTSH”; ju paraqes dorëheqjen, në mënyrë të parevokueshme, nga pozicioni i Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH.
Duke ju falënderuar për bashkëpunimin, Me respekt DREJTORI I PERGJITHSHEM Alfred PEZA”, shkruante Peza në letrën që i dorëzoi Këshillit Drejtues të RTSH-së.