Policia e Shtetit pak ditë më parë lëshoi një paralajmërim që qytetarët të bëjnë kujdes ndaj një lojë që luhet online që quhet “Plinko”. Po ashtu, autoritetet lajmëruan që prindërit të bëjnë kujdes dhe të mos i lejojnë fëmijët të luajnë këtë lojë dhe të mos fusin të dhënat e llogarive bankare pasi kjo është një skemë që të merren shuma monetare. Po ashtu, njerëz të ndryshëm raportojnë se ata kanë humbur shumë para duke luajtur këtë lojë.
Por çfarë është loja Plinko?
‘Plinko’ u reklamua për herë të parë nga reperi i famshëm kanadez, Drake, i cili tha se ai vendosi bast me 1 milionë dollarë në këtë lojë. Pas publikimit të kësaj videos, loja filloi që të bëhej më e famshme dhe figura të ndryshme nisën ta reklamonin. Plinko në vetëvete nuk e ka krijuar ende një aplikacion, por ka faqe në internet që kur e kërkon rezulton me shumë ‘domain’ të ndryshëm.
Në Shqipëri, gjithashtu edhe dy vajza filluan që ta reklamojnë lojën dhe kryesisht reklamat e tyre dalin në momentin kur përdorues të Facebook luajnë lojërat që vetë rrjeti social i ofron. Kur një person humbet një lojë në Facebook dhe kërkon ta vazhdojë aty ku e la, mund të shohë një reklamë.
Në reklama shfaqen lojëra të tjera, ndër to edhe Plinko. Reklama zgjat për 30 sekonda dhe vajzat e përshkruajnë lojën dhe si mund të luhet, po ashtu ato shprehen se mund të fitosh para, ku tregojnë se ato vetë kanë fituar 5 mijë euro. Dyshohet se përdorues të shumtë, janë mashtruar nga kjo reklamë dhe kanë luajtur, ku si pasojë kanë humbur para.