Presidenti rus, Vladimir Putin ka nënshkruar një dekret për rritjen e numrit të ushtarëve në forcat e armatosura në 1.5 milionë burra.
Putini e dha këtë urdhër ndërkohë që lufta e Moskës në Ukrainë po shkon drejt vitit të tretë.Urdhri i Putinit, i publikuar në faqen zyrtare të Qeverisë ruse, do të hyjë në fuqi më 1 dhjetor. Me këtë urdhër, numri i përgjithshëm i personelit të ushtrisë ruse do të arrijë në gati 2.4 milionë, përfshirë 1.5 milion trupa. Ai e ka urdhëruar Qeverinë t’i sigurojë fondet e nevojshme për ushtrinë.
Putin kishte dhënë urdhër për rritjen e numrit të trupave ruse edhe dhjetorin e kaluar, kur përmes një dekreti kishte kërkuar që numri i përgjithshëm i personelit të ushtrisë ruse të rritej në 2.2 milionë, përfshirë 1.32 milion trupa.
Ushtria ruse është duke e kryer një ofensivë në lindje të Ukrainës, ku trupat e saj kanë çarë përpara dukshëm në muajt e fundit.
Në qershor, Putini tha se gati 700.000 trupa ruse janë të përfshira në atë që Kremlini e quan “operacion special ushtarak” në Ukrainë.