Luis Enrique, trajneri i PSG-së, përsëriti këtë të enjte se do të ishte i gatshëm të ulte pagën e tij deri në “52 apo edhe 50%” për të mos folur me gazetarët.
“Nëse më thua tani, firmos një letër, që unë nuk do të flas më me shtypin, por do t’i heq 25 për qind, në fakt deri në 50 për qind (të pagës), unë do ta nënshkruaj atë,”- tha Luis Enrique në konferencën për shtyp në duelin e Ligue 1 këtë të premte kundër Rennes.
Luis Enrique kishte siguruar tashmë se ishte i gatshëm të hiqte dorë nga një e katërta e pagës së tij në një dokumentar, që do të shfaqet në ditët në vijim, dhe nga i cili disa fragmente janë parë.
Në një konferencë për shtyp, trajneri i PSG-së siguroi se po kalon “mirë” duke folur me gazetarët, por “nëse mund ta shmangia, do ta shmangia” thotë ai. Dhe nëse nuk e bën, është “sepse kontratat e nënshkruara me klubet e detyrojnë trajnerin të flasë”.
“Më pëlqen të flas, nuk kam shkurtuar kurrë një konferencë shtypi, më pëlqen dhe mund ta bëj në disa gjuhë, keq, por e bëj,”- tha Luis Enrique, i cili pak më vonë siguroi se ende nuk ndihet i përgatitur që të përgjigjet në frëngjisht.
Luis Enrique theksoi se, veçanërisht, konferencat për shtyp pas ndeshjeve e shqetësojnë, sepse nuk ka “energji për të duruar disa gjëra”.
Trajneri i PSG-së, i cili do të luajë tre ndeshje në nëntë ditë, iu referua mbingarkesës që kanë pësuar lojtarët dhe ra dakord me trajnerë të tjerë, si Pep Guardiola i Manchester Cityt, të cilët kanë protestuar për këtë.
“Unë mendoj se ai ka të drejtë, por në Francë ne kemi një perspektivë më të mirë se Anglia apo Spanja, ata kanë më shumë ndeshje. Në situatën time nuk mund të ankohem,” tha Luis Enrique, i cili kujton se kampionati francez ka vetëm 18 ekipe, të cilat i bën ata të luajnë katër ndeshje më pak në vit.