Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, foli sot në Kuvend për reformat e ndërmarra dhe risitë e vitit të ri shkollor.
“Ky vit shkollor e ka gjetur sistemin arsimor më të financuar dhe sot në aktin normativ janë 450 milionë lekë që i shtohen sistemit arsimor dhe pikërisht mbështetjes me paga për mësuesit tanë. Nëse ka sot mësues të motivuar janë nga rritja e pagave që është rritja më e lartë e bërë ndonjëherë për ta. Rritja mesatare e pagave për 31 mësues në 950 euro në muaj tashmë është në nivele të krahasueshme me vendet e rajonit. Pagat janë rritur për edukatoret në çerdhe, për punonjësit socialë dhe psikologët në shkolla dhe për oficerët e sigurisë”, tha Manastirliu, duke folur dhe për sistemin e ri të kualifikimit të mësuesve që mundëson që mësuesit jo vetëm ta përfitojnë më shpejt gradën e kualifikimit, për “Mësues Specialist”, “Mësues të Kualifikuar” dhe “Mësues Mjeshtër”.
Gjithashtu Ministrja u ndal dhe te Programi Kombëtar i Zhvillimit Profesional të Mësuesve që synon trajnimin dhe kualifikimin e 16 mijë mësuesve në vazhdim.
Në fjalën e saj Ministrja u ndal dhe te investimet në infrastrukturë.
“Në këto vite falë investimit të qeverisë shqiptare ne kemi mundur që procesi i transformimit, rindërtimit dhe rehabilitimit të shkollave të jetë ai më i madhi i bërë ndonjëherë duke bërë të mundur që vetëm gjatë vitit 2024 të jenë 100 shkolla të cilat janë rehabilituar apo rindërtuar, mes tyre 25 shkolla të reja që kanë hapur dyert më 9 shtator dhe 40 kantiere në të gjithë vendin, të cilat tashmë kanë nisur për të kthyer dhe këto shkolla në standarde bashkëkohore”, tha Manastirliu sot në Kuvend.
Ministrja u ndal dhe te programi për rritjen e aftësive digjitale të nxënësve.
“Janë 216 laboratorë të rinj Smart, duke përfshirë më shumë se 35 fëmijë nga klasa e parë në klasën e tretë për të cilët synojmë që të zhvillojnë aftësitë digjitale. Dhe nëpërmjet një kredie nga Banka për Zhvillim e Këshillit të Europës, qeveria shqiptare është e angazhuar që në dy vitet e ardhshme 654 laboratorë SMART të investohen në sistetim tonë parauniversitar duke garantuar gjithashtu një kurrikul të re të Teknologjisë dhe Informacionit”, tha Manastirliu.
Në fjalën e saj Ministrja u ndal dhe te mbështetja e nxënësve me nevoja të veçanta me shtimin e numrit të mësuesve ndihmës dhe me kthimin e shkollave speciale për këta fëmijë në qendra burimore.
Një nga prioritetet e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit është dhe mbështetja për ‘Lëvizjen Sportive në shkolla’, me shtimin e ekipeve sportive në disiplina të ndryshme.