U largua me parametër zero, por jo gjithçka paska marrë fund. Kilian Mbape dhe Paris SG nuk munden të ndahen kaq lehtë nga njëri-tjetri, dhe ja ku nis seria e re e telenovelës mes tyre.
Mediat ndërkombëtare shkruajnë dhe raportojnë se kapiteni i Francës, tashmë lojtar i Realit të Madridit, e ka hedhur në gjyq klubin francez për pagesa të padhëna.
Flitet për 55 milionë euro që i përkasin rrogës dhe shpërblimeve. Konkretisht, Mbape ankohet për mosdhënien e 3 muajve të fundit të rrogës dhe të një të tretës së bonusit të përcaktuar sipas kontratës.
Paris SG kërkoi një marrëveshje pa shkuar në gjyq, dhe I dërgoi ndërmjetës ish-yllit të ekipit, por kjo inciativë u hodh poshtë nga ai. Mbape i është drejtuar UEFA-s dhe pritet nisja e procesit legal për të zgjidhur këtë konflikt.
Kapiteni i Francës u largua nga PSG në fund të këtij sezoni, kur i përfundoi kontrata, dhe u prezantua në stadiumin “Santiago Bernabeu” të Madridit.
Ai shpreson që në Spanjë të fitojë Championsin dhe trofe të tjerë në nivel europian dhe botëror, diçka që nuk e bëri dot tek parizienët.