Partitë e majta akuzojnë Emmanuel Macron se ‘po vjedh zgjedhjet’ duke emëruar një konservator në krye të qeverisë. Mijëra njerëz kanë dalë sot në rrugët e Francës për të protestuar kundër emërimit nga Emmanuel Macron të politikanit të djathtë Michel Barnier si kryeministër, i konsideruar si teknokrat i afert me Macron. Macron ka emëruar Barnier, konservatori dikur negocjator për Brexit, duke i dhënë fund kërkimit dy mujor pas humbjes në zgjedhjet legjislative që solli një parlament me tre grupime të ndara politike. Barnier tha sot në intervistën e parë pas emërimit se qeveria e tij, do të përfshijë konservatorë, anëtarë të kampit të Macron dhe disa nga e majta.
E majta franceze që drejtohet nga partia radikale Franca e Papërkulur (LFI) akuzon Macron për mohim të demokracisë dhe vjedhje të zgjedhjeve pasi presidenti refuzoi të zgjedhë kandidatin e tyre nga Fronti Popullor që u rendit i pari në zgjedhjet e korrikut. Sondazhet vendase Elabe zbuluan dje se 74% e francezëve besonin se Macron nuk kishte marrë parasysh rezultatin e zgjedhjeve, kurse 55% besonin se presidenti kishte vjedhur zgjedhjet, shkruan The Guardian. Pas emërimit të Barnier, i partisë së djathtë ‘Les Républicains’ e majta e politikës, sindikatat dhe grupet studentore bënë thirrje për protesta të shtunën, dhe tjetër veprim në fund të muajit.
Barnier vijonte sot konsultimet për formimin e qeverisë ndërsa mund të marrë një votë të mundshme mosbesimi nga NFP dhe e djathta radikale Fronti Kombëtar (RN) që me numrat e tyre arrijnë maxhorancën, nëse arrijnë të bashkëpunojnë. Kjo e fundit ‘RN’ ka dhënë njëfarë miratimi të heshtur për Barnier, duke cituar një numër kushtesh për të mos mbështetur një votë mosbesimi. “Ai është gjithsesi një kryeministër nën mbikqyrje,” tha sot kreu i RN, Jordan Bardella duke nënkuptuar se ata vendosin tashmë kush mund të hyjë apo të ngrihet në qeveri, shkruan The Guardian.