Nga Moska në Tiranë, më pas në Pragë, sërish në Tiranë dhe tani në Riadh.
Në më pak se dy javë, Mario Mitaj ka bërë “xhiron e botës” për të mbërritur më në fund në destinacionin e radhës në karrierën e tij.
Mbrojtësi i kombëtares së Shqipërisë nisi zyrtarisht aventurën me Al Ittihad në Arabinë Saudite, pas transferimit surprizë në merkaton e verës.
Mitaj u prit në kryeqytetin saudit nga drejtuesit e klubit, përpara firmës formale në kontratë.
Futbollisti 21-vjeçar u largua nga Lokomotiva e Moskës me një formulë huazimi.
Al Ittihad ra dakord të paguajë 2 milion euro deri në fund të sezonit, ndërsa ka të drejtën e blerjes përfundimisht të kartonit për 5 milion euro të tjera.
Ndërkohë, vetë Mario Mitaj do të fitojë në këtë sezon 3 milion euro.
Shifra të rëndësishme, ndërsa për t’u parë mbetet se si do të shkojë aventura sportive e talentit kuqezi, që gjatë merkatos së verës kishte edhe oferta të tjera nga klube europianë. Madje sipas mediave italiane, emri i mbrojtësit ishte edhe në listën e blerjeve të Juventus.
Në fund, Mario Mitaj zgjodhi Arabinë Saudite, që vitet e fundit është kthyer në një destinacion për shumë yje të futbollit, mes tyre Cristiano Ronaldo dhe Neymar që mbrojtësi shqiptar do t’I ketë rivalë. Të tjerë do t’I ketë shokë te Al Ittihad, si Benzema, Kante apo Fabinjo.