Shumë shpejt do të ketë një sërë arrestimesh të bujshme nga ana e SPAK në kuadër të përgjimeve të SKY.
I ftuar në ‘Të Pashoq’ me Edjona Dervishin, ish-deputeti demokrat Myslym Murrizi ‘plas bombën’, kur thotë se ka informacione që në përgjime kanë dalë emra politikanësh dhe klerikësh, përpos atyre nga radhët e Drejtësisë dhe Policisë.
“Nuk besoj se SPAK i ka duart e lira që ata ta sjellin dhe këta ta fshehin. Këtu dalin shumë. Ke nga drejtësia, ndoshta dhe prokurorët brenda SPAK, ke në Prokurorinë e Përgjithshëm, prokurorë e ish-prokurorë, gjyqtarë, politikanë, edhe klerikë. Pra nuk i ndaj as nga veshja, as nga gjuha. Nuk i hamendësoj, se nuk jam nga ata që shoh filxhan, por kam informacion”
Duke folur për situatën në PD, Murrizi shpërthen ndaj Gaz Bardhit dhe Oerd Bylykbashit si njerëz që e kanë frikën votën pasi nuk kanë ardhur përmes saj në postet e rëndësishme, por si emërime direkte të Sali Berishës.
Këtij të fundit, Murrizi i kujton të ketë kujdes me hartimin e listave të kandidatëve, pasi sipas tij aty qëndron mundësia e vetme e fitores në 2025.
“PD duhet të hyjë me 140 emra pa listë të mbyllur. Le t’i mbyllë Rama ata që do venë në SPAK. Ne çfarë sikleti kemi? Ne paskemi frikë nga vota e qytetarëve atëherë. Çfarë përfaqësuesi je ti nëse nuk guxon të shkosh te qytetari. Je në hasmëri me qytetarin që mbyllesh dhe shkon si drejtues politik? Çfarë vlere ka kjo kur t’i nuk përballesh. Por Gazi me Oerdin nuk më rezultojnë të tillë nga zgjedhjet e 2021, janë të dy humbësa.
Në vend të Gazit duhej të ishte Qani Xhafa dhe në vend të Oerdit, Igli Cara se ka dyfishin e votave. Këta kanë konflikt interesi për të qenë pjesë e tavolinës ku bëhet Kodi Zgjedhor sepse janë të dy humbës. Po të ishte Luçiano nuk thoja unë, edh për Enelejdin nuk thoja. Por asnjë nga këta 16 deputetët që nuk do ishte tillë nëse vendimi i Kushtetueses do kishte efekt prapaveprues. Ti ke shkuar për të siguruar karrigen për vete, pse duhet të të besoj’, thotë Murrizi.