Një vendim bastard i një drejtësie që mendon të shantazhojë opozitën me dirigjim të pushtetit, e cilësoi Myslim Murrizi, vendimin e Gjykatës së Apelit që dënoi me 1 vit burg deputetin demokrat Ervin Salianji. Murrizi thotë se orët e fundit të lirisë nuk janë për Salianjin, por për drejtësinë.
“Askujt nuk mund ti hiqet liria e shprehjes edhe pse i kufizohet liria fizike. Këto janë orët e fundit të një vendimi bastard të drejtësie që do të shantazhojë opozitën me dirigjim të pushtetit kur shqiptarët presin të zbardhen miliarda euro të vjedhura, aferat korruptive, koncesione, PPP. Salianji as nuk është drejtues i madh policie as i grupit të atyre që kanë mbjellë me hashash Shqipërinë as si shumë të tjerë që shpallen në kërkim pasi shkojnë në Dubai.
Të dënohesh pse ke thënë që vëllai i Xhafës është trafikant, që ka një vendim nga gjykata italiane që është dënuar 7.2 vjet, nuk di ku është kallëzimi i rremë, apo shpifja kur fakti ka ndodhur, por këta nuk duan ta marrin në konsideratë. Orët e fundit janë të një drejtësie palaço, jo të Salianjit”, tha Murrizi në A2.
Murrizi thekson se dënimi i Salianjit është politik për shkak të denoncimeve dhe vendosjes si drejtues politik i qarkut të Elbasanit, duke i dëmtuar karrierën.
“Dënimi i tij është politik që përjashtohet nga dy palë zgjedhje deri në moshën 45-vjeçare i pengohet karriera politike ka qenë i vetmi që ka denoncuar e folur në parlament për zullumet e kësaj qeveri u trembën që shkoi drejtues politik i qarkut Elbasanit ku aty kryqëzohen fijet e qelbësirave politike shtet-mafie-pushtet. Të fortët e Elbasanit godasin makinën e policisë rrahin drejtorin e policisë ku drejtori i policisë del në përgjimet e Xibrakut. Ku ka vrasje çdo muaj dhe bandat janë në këmbë”, u shpreh Murrizi.
Murrizi deklaroi se Salianji e priste këtë vendim dhe theksoi se “opozita duhet të ketë qëndrime parimore dhe jo sporadike dhe me raste të veçanta”.
“Kërkesë urgjente për t’i hequr mandatin Klotilda Bushkës se burri i saj ka marrë lekë nga shqiptarët në dy mandate. I bëj thirrje Gaz Bardhit mos na bëhet me lot e qurre për Ervinin; çoji letrat. Nuk ka opozitë selektive, duhet parimore dhe e besueshme për të gjithë. Rasti i Bushkës është më i rëndë se i Olta Xhaçkës, janë mbi 6 milionë euro në këtë rast”.
Reagimi i sotëm për padi ndaj Xhafës është i vonuar për Murrizin, sipas tij PD duhet ta kishte bërë këtë padi një vit më parë.
“Kush e pengoi PD ta bënte këtë denoncim vjet në shtator? Reagimi i sotëm është pas pilafit. Ti duhet të jesh parimor. Nuk mund të ngjitësh nëse je fotokopje e keqe e këtyre ne pushtet”.
Murrizi paralajmëroi zhvillime të tjera për drejtësinë në ditët në vijim.
“Rama është i shqetësuar, sheh ëndrra me ata njerëz në SPAK që nuk janë enveristë dhe nuk janë patronazhista dhe tek ata që janë duarpistë në të gjitha aferat e Ramës. Do të ketë zhvillime të tjera këto ditë që do t’i vijë thartë Ramës. Për prokurorët, gjyqtarët, për policët për ata që kanë pasur telefona Skyy. Kur t’i rrëshqasë toka nën këmbë. Kur bën ligje për të goditur opozitën do ta hash vetë”.