Kontraktori përgjegjës për ndërtimin e një ndërtese shumëkatëshe në Turqinë jugore, e cila u shemb në tërmetin vdekjeprurës të 6 shkurtit 2023, duke vrarë 96 persona, u dënua sot me 865 vjet burg.
Ndërtesa 14-katëshe në Adana u shemb pas tërmetit të parë me magnitudë 7.8, i cili ndodhi në orën 04:17, dhe nga kjo ndërtesë mbijetoi vetëm një nga banorët. Tërmeti dhe lëkundjet pasuese vranë më shumë se 53,500 njerëz në Turqi dhe afro 6,000 në Sirinë fqinje.
Sipas shtypit turk, kontraktori Hasan Alpargun, i cili u dënua sot për shkaktim të vdekjes dhe plagosjes së më shumë se një personi me qëllim keqdashës, kishte ikur në Qipro ditën e tërmetit, përpara se te dorëzohej në polici një javë më vonë, shkruan CNN Turk.
Shembja e pallatit të ndërtuar në vitin 1975, menjëherë pas tërmetit shkaktoi pikëpyetje serioze, pasi Adana, më pak se 200 km nga epiqendra, nuk pësoi dëme të mëdha nga lëkundjet e tërmetit.
Ekspertët gjatë gjykimit vunë në dukje mangësi serioze në ndërtimin e kolonave të nevojshme për të mbështetur godinën, si dhe në cilësinë e betonit të përdorur për ndërtim.
Kontraktori u mbrojt duke pretenduar se ndërtimi ishte miratuar nga autoritetet. Mbi 260 persona të përfshirë në ndërtimin e ndërtesave që u shembën në tërmetin e 6 shkurtit 2023 u arrestuan në javët pas tërmetit, ndërsa disa u përpoqën të largoheshin nga Turqia.
U konstatua se kontraktori Alpargün tentoi të transferonte 900 mijë dollarë, nga Turqia në Qipro dhe tentoi të blinte një apartament në Nikosia.