Qeveria propozon ndryshime në ligjin “Për të huajt” ndërkohë që drafti është hedhur për konsultim publik.
Kushtet e lejeve të qëndrimit për shtetasit e huaj në Shqipëri do të ndryshojnë. Në ligjin e depozituar për konsultim publik, parashikohet që shtetasit nga vendet e BE-së dhe SHBA-së duhet të jetojnë apo punojnë në vendit tonë për të paktën 5 vite, për t’u bërë shtetas të përhershëm. Por në ndryshimet e reja parashikohen dhe përjashtime. Një person i huaj nga vendet e Bashkimit Evropian, zona Shengen apo SHBA që janë në prag të pensionit dhe kanë kontribuuar për të paktën 12 muaj në vendin tonë, mund të pajisen me lejen e përhershme.
Lehtësim do të ketë edhe në rastet kur një person që ka punuar për 2 vite, shpall paaftësinë për të punuar. Në këto raste përfshihen aksidentet në punë apo një sëmundje që mund t’i ketë ardhur për shkak të profesionit. Kushte për leje qëndrimi do të ketë dhe për studentët e huaj. Ata do të mund të lëvizin në vendin tonë për një vit, ndërsa do t’i lejohet dhe e drejta e punësimit duke respektuar limitin maksimal të 15 orëve në javë. Studentët e huaj, gjithashtu, do të mund të zgjasin afatin e tyre të qëndrimit në Shqipëri, deri në përfundimin e shkollës. Shqipëria do u japë të drejtë shtetasve të vendeve të Bashkimit Evropian që të qëndrojnë në territorin shqiptar pa leje qëndrimi apo leje unike, për më shumë se tre muaj.
Kjo është një nga risitë e propozuara në ligjin për të huajt nga Ministria e Brendshme, i hedhur së fundmi për konsultim publik.
“Propozimi për përjashtimin e tyre nga ky detyrim është në linjë edhe me rekomandimet e lëna në Raportin e Komisionit Evropian për vitin 2023”.
Një shtetas i BE-së mund të banojë në Shqipëri pa leje qëndrimi apo leje unike nëse plotëson një nga këto kritere, si të jetë i punësuar ose i vetëpunësuar; të ketë burime të mjaftueshme financiare për veten dhe anëtarët e familjes që të mos bëhen barrë për sistemin e ndihmës sociale si dhe të kenë policë të sigurimit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë. Po ashtu përfitojnë nga kjo lehtësi edhe ata që do ndjekin në Shqipëri një kurs studimi. Pa leje qëndrimi mund të banojnë në Shqipëri për më shumë se tre muaj edhe anëtarët e familjarit që po qëndron në vendin tonë duke plotësuar një nga kushtet e mësipërme.
“Shtetasit e vendeve të Bashkimit Evropian, për periudha qëndrimi më të gjata se tre muaj, kanë detyrimin të regjistrohen pranë zyrës së gjendjes civile, në territorin e së cilës kanë vendqëndrimin, jo më vonë se tre muaj nga data e mbërritjes. Zyra e gjendjes civile i pajis ata me një certifikatë regjistrimi”.
Shtetasit e Bashkimit Evropian që kanë banuar ligjërisht për një periudhë të vazhdueshme prej pesë vjetësh në Republikën e Shqipërisë kanë të drejtën e qëndrimit të përhershëm. Sipas censit të vitit 2023, në Shqipëri jetojnë rreth 15 mijë banorë me shtetësi të huaj.