Nga një tokë e mbjellë me jonxhë, në një perandori plot me turistë të huaj. Po flasim për Blerina Farm, që do jua tregojmë sot në DritareTV. Blerina Bombaj, me të ëmën Natashën dhe vjehrrën Lulen kanë ngritur një oazë në Laknas, një fermë që dimër e verë rri plot me turistë të huaj. Falë punës së Blerinës dhe banorëve të tjerë, kjo zonë ka marrë pamjen e një fshati anglez plot me turistë. Atraksioni më i madh turistik që ka ky agroturizëm është aeroporti që ndodhet fare pranë. Dhe çdo ditë, para se të drejtohen në kryeqytet turistët ndalojnë te Blerina Farm, shijojnë në radhë të parë natyrën e mrekullueshme, pastaj ushqimet që janë 100% vendase.
Në një bisedë për gazetaren Rudina Xhunga, Blerina tregon pse e pëlqejnë kaq shumë të huajt agroturizmin e saj.
“Ajo që neve na mburrin më shumë të huajt është mëngjesi. E mburrin sepse është pothuajse 100% me produkte tona, të vendit. Në mëngjes ne shpalosim të gjitha aromat, ngjyrat dhe shijet e stinës.”, thotë dietologia.
Blerina tregon si i ngjiti gradualisht shkallët e suksesit të saj, nga një dyqan për dietë në Bllok, në një perandori agroturizmi në Laknas plot me turistë:
“Gjithçka ndodhi shumë gradualisht. Vetë puna që bën të tregon ku duhet të shkosh. Unë kam një parim: Pema që nuk rritet, vdes. Normalisht edhe biznesi që të rritet dhe të jetojë duhet të ndryshojë formë. Jo detyrimisht të zmadhohet, jo me tahmanë e madhe, por të jetë plotësuese. Ndaj ne e shohim si plotësim të asaj që ne bënim. Sepse këtu ruhet akoma filozofia e ushqimit të shëndetshëm dhe është thelbi i gjithçkaje që unë bëj. Kjo që shihni ju sot, u ndërtua rreth e rrotull ushqimit.
Ne kishim një tokë këtu që e trashëgoi burri. E mbollëm atë tokë. Kështu lindi gjithçka, nga mbjellja e tokës. Kur erdhëm fillimisht kjo tokë ishte veç me jonxhë, në blemë disa toka përreth, i mbollëm, ndërtuar edhe arritëm këtu ku jemi. Mua më janë dashur 5 vjet që të ngre këtë agroturizëm. Ne kemi hotelin këtu, kemi dy restorante, njëri është tradicional që është edhe për fëmijët, kemi edhe restorantin tjetër që është i dedikuar për të rriturit që të shijojnë në qetësi një ushqim ne duam ta përpunojmë dhe ta sjellim në një nivel tjetër.”
Përveç ushqimit tradicional, me produkte bio, një gjë që të bie në sy te ferma e Blerinës është mënyra se si janë ndërtuar restoranti dhe hoteli, të punuara me dru vendas. Hoteli ka 3 suita dhe dhoma të tjera gjumi. Asnjëra nuk i ngjan një dhome tjetër sepse çdo gjë është autentike te Blerina Farm, që te dritaret prej druri te mobiliet, e deri te çarçafët e mbulesat prej pambuku./Dritare