Kombëtarja shqiptare do të udhëtojë sot drejt Pragës, aty ku do të zhvillojë edhe ndeshjen e parë në Nations League ndaj Ukrainës në stadiumin “Epet Arena”.
Dy lojtarët kuqezi, Qazim Laçi dhe Marash Kumbulla, para nisjes drejt Pragës treguan se si kanë shkuar përgatitjet dhe synimet e Shqipërisë në kompeticionin UEFA Nations League. Qazim Laçi tha se ndeshja e parë ndaj Ukrainës është shumë e veçantë për të, pasi do të luhet në stadiumin e klubit të tij, Sparta Prague. Mesfushori kuqezi vlerësoi dy kundërshtarët dhe shtoi se mbështetja e tifozëve është shumë e rëndësishme.
“Mezi po presim që të vazhdojmë një aventurë të re në kompeticionin Nations League. E kemi për detyrë të bëjmë maksimumin pas paraqitjeve në Europian. Për mua është një ndeshje e veçantë me Ukrainën sepse luajmë në Çeki te stadiumi im”, tha Laçi.
Marash Kumbulla u shpreh se ndeshja e parë ndaj Ukrainës është shumë e vështirë, por theksoi se Kombëtarja do të futet në fushë vetëm për fitore.
“Janë kundërshtarë shumë të vështirë, sidomos Ukraina. Si gjithmonë do të futemi në fushë për të fituar. Me Gjeorgjinë kemi edhe tifozat pasi luajmë në shtëpinë tonë”, u shpreh Kumbulla.
Të dy lojtarët gjithashtu theksuan edhe një herë rëndësinë e tifozerisë kuqezi për të qenë sa më e shumtë në ndeshjen e 10 shtatorit në Tiranë në stadiumin e kryeqytetit Arena Kombëtare.