Forcat e policisë mbajtën të rrethuar fshatin duke ndërhyrë vetëm atëherë kur nuk kishte asnjë rrezik për jetën e njerëzve.
Nga Klodiana Lala
I shpallur në kërkim ndërkombëtar, i mbijetuar në disa atentate, i akuzuar për 6 vepra penale që nisin nga vrasjet pjesëmarrje në organizatë kriminale e deri tek armëmbajtja pa leje, policia arrestoi të premten e 6 shtator 2024, Marklen Hakën, falë një aksioni të policisë të koduar “Liqeni i Bacungut”.
“Ishte një aksion me shkallë të lartë vështirësie”, tha për SHTEG Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, ndërsa finalizimi me sukses i aksionit policor u përshëndet edhe nga ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha.
I zbathur, por krejt i qetë i rrethuar nga forcat speciale 33-vjeçari nga Nikla u soll nën masa të rrepta sigurie në qelitë e izolimit në drejtorinë e Policisë së Tiranës.
Dy ditë më vonë Haka u përball me Gjykatën e Posaçme e cila la në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg”, vendim ky që ishte shpallur në mungesës po nga kjo gjykatë që më 15 maj të këtij viti.
Haka akuzohet si pjesëmarrës në atentatin e organizuar ndaj një tjetër personazhi me rrezikshmëri të lartë, ngjarje kjo e ndodhur në në vitin 2020. Sipas SPAK ai ka dhënë detaje për lëvizjen dhe vendndodhjen e personit të vendosur nën shënjestër dhe provat e siguruara për këtë ngjarje janë të zbërthyera nga bisedat në aplikacionin “Sky ECC”.
Historitë e krimit që shfaqen në bisedat mes dy personazheve si Behar Bajri dhe Durim Bami implikojnë edhe dhjetëra persona të tjerë, mes të cilëve edhe ish-deputetë, po ashtu siç edhe del hapur intriga mes bandave.
Gjatë seancës gjyqësore Haka i ka mohuar në gjykatë akuzat dhe kë pretenduar se “nuk ka konflikte me asnjë”, ndërsa avokati i tij deri në publikimin e këtij shkrimi nuk bëri asnjë koment mbi akuzat që rëndojnë ndaj Hakës.
Në gjurmët e Hakës
Në mes korrikun e këtij viti një lajm i publikuar në media linte të kuptohej se Marklen Haka ndodhej në Dubai, aty ku vitet e fundit kanë gjetur strehim dhjetëra persona me rekorde të rënda kriminale. Por tri javët e fundit, një informacion i marrë në rrugë operative i bënte me dije policisë së Tiranës se 33-vjeçari ndodhej jo shumë larg kryeqytetit. Ai strehohej në disa baza në fshatin e tij të lindjes, në Nikël.
Banesa në pronësi të kushëririt të tij Klajdi Haka, u vëzhgua me dron, ndërsa Marklen Haka u pa të mbërrinte aty më datë 2 shtator 2024.
“U pa e udhës që të mos ndërhyhej, sepse mund të kishte shumë rrezik”, u shpreh një burim për SHTEG.
U mendua se aksioni mund të dekonspirohej nëse forcat speciale të RENEA-s apo efektivë të tjerë të policisë do të kalonin nëpërmjet fshatit Nikël.
Ndaj u vendos – theksoi burimi- të kalohej përmes fshatit Halil, tek liqeni i Bacungut (emër me të cilin u kodua operacioni) e prej andej specialët e RENEA-s ecën mbi dy orë në këmbë për të mbërritur në pikën ku shquhej shtëpia ku qëndronte i shumëkërkuari Marklen Haka.
Forcat e policisë pritën 4 ditë në pyll derisa Haka u shfaq sërish aty me disa makina. Ishte momenti i volitshëm për të ndërhyrë. “Haka nuk kishte asnjë mundësi për tu arratisur. Rrugën e kishin bllokuar nëse do të tentonin të lëviznin me makina”, theksoi burimi.
Në reagimin zyrtar policia e Tiranës deklaroi se: “Operacioni ishte i një shkallë të lartë vështirësie dhe rrezikshmërie. Ndërsa Drejtori Vocaj tha për “shteg.org” se operacioni për kapjen e Hakës, zgjati 4 ditë. Sipas kryepolicit ndërhyrja u bë vetëm në momentin kur u siguruan se jo vetëm kapja e tij do të bëhej e mundur, por po ashtu nuk do të kishte rrezik për jetën e policive.
Rekordet e policisë
Marklen Haka është skeduar në rekordet e Policisë së shtetit më shumë se një dekadë më parë me dyshimin se ai ka kryer krime tejet të rënda. Në vitin 2011, ai u arrestua nën dyshimet se kishte ekzekutuar mbrëmjen e 13 qershorit, biznesmenin Nadien Zeneli.
Haka atëkohë vetëm 20 vjeç, dyshohej se e kishte vrarë Zenelin në shenjë hakmarrjeje për ekzekutimin e vëllait të tij, Rolandit ngjarje kjo e ndodhur në vitin 2004 në Fushë Krujë. Dyshimet se Haka ishte autori i krimit të kryer në zonën e ish-bllokut ranë shpejt, pasi nuk u siguruan prova fajësie për të, ndaj ai rifitoi shpejt lirinë.
Përgjatë dekadës së fundit, Marklen Haka dyshohet të jetë përshirë në krime tejet të rënda dhe konsiderohej si një prej personazheve më të rrezikshëm të botës së krimit.
Ai ishte në miqësi të ngushtë me vëllezërit Durim e Valter Dami. Madje, ky i fundit e shoqëroi në spitalin e Traumës, mbrëmjen e 21 shtatorit 2019 kur një togë vrasësish synoi ekzekutimin e Hakës. Atë mbrëmje, Haka mbeti i plagosur, ndërsa u vra halla e tij, Aishe Basha.
Pasi i mbijetoi këtij atentati, Haka u tërhoq në vilën e tij luksoze ku jetonte vetëm me babain e tij të moshuar dhe kufizoi lëvizjet.
Haka, siç thonë burimet nisi të mblidhet informacion për personat që kërkuan “kokën e tij”.
Një tjetër atentat i mirë organizuar ndaj Hakës do të organizohej mesditën e 8 qershorit 2022 në vendin e quajtur kryqëzimi i fshatit Nikël. Pasi kishte konsumuar një kafe me dy mikesha, Markleni ishte nisur për në vilën e tij dhe në momentin që do të merrte drejtimin për në fshat, nga një automjet Audi A8, me xhama të zinj, u qëllua në drejtim të tij, duke e lënë të plagosur në nofull.
Vrasja e kundërshtarëve
Mbrëmjen e 9 dhjetor 2017, në derën e shtëpisë në Lezhë, ish-deputetit Arben Ndoka i vritet vëllai. I larguar nga Parlamenti për shkak të ligjit të dekriminalizimit, sipas dosjes së prokurorisë, Ndoka krijoi një grup misioni i të cilit ishte hakmarrja ndaj vrasjes së ndodhur. Hetimet tregojnë se ai rekrutoi nipin dhe dhëndrin e tij , si dhe bashkëpunoi si dhe bashkëpunoi me personazhe të botës së krimit, si Ervis Martinaj, Emiljano Shullazin për të kryer vrasjen e vëllezërve Durim e Valter Bami.
Marklen Haka, dikur mik me Bamin, vendosi të bashkëpunonte me Ndokën dhe të informonte grupin kriminal për lëvizjet e “prehës” së tyre. Informacionet ai ja dërgonte Emiljano Shullazit, i cili ndonëse ishte në qelitë e një burgu të sigurisë së lartë ishte i pajisur me Sky ECC dhe komunikonte lehtësisht.
SPAK e akuzon Marklen Hakën si pjesë të grupit kriminal që organizoi atentatin ndaj Durim Bamit më 4 nëntor 2020 pranë Urës së Tapizës.
Sipas prokurorisë ai ka pasur rolin e vëzhguesit në zonën e Niklës. Albert Zaja,thekson prokuroria, po ashtu ka pasur rolin e vëzhguesit në zonën Kamzë-Tapizë. Ndërsa Tori Xhecuka, i besuari i Martinaj, ishte organizator dhe ekzekutor. Bashkë me të mbi Durim Bamin dyshohet se ka qëlluar edhe Florenc Kelmendi.
Nga zbërthimi i SKY ECC rezulton se atentati ndaj vëllezërve Durim e Valter Bami, ishte porositur dhe financuar nga Ervis Martinaj i zhdukur pa gjurmë prej dy vitesh.
Një skuadër e tërë me 16 persona i ishin vënë nga pas Durim Bamit me qëllim ekzekutimin e tij, për llogari të ish-deputetit të PS, Arben Ndoka
SPAK dyshon Marklen Hakën se ka pasur rol të dyfishtë në përplasjet mesa bandave që veprojnë në zonën e Lezhë-Krujë dhe Durrës.
Shkak për këto dyshime ndaj Hakës është një tjetër ngjarje ky këtë radhë obektivi ishte ish deputeti Ndoka.
Prokurorët dyshojnë se Haka ka bashkëpunuar me Durim Bamin, Endrit Doklen, ish-kreun e njërit prej fraksioneve të Bandës së Durrësit dhe Xhelal Rrajën, vëllain e tij deputetit socialista Rrahman Rraja, në planin për të ekzekutuar Arben Ndokën.
Ish-deputeti planifikohej të ekzekutohej në rrugën e Elbasanit ku do të shkonte për një kafe ngushëlluese pasi kishte ndërruar jetë një gjyqtar nga Lezha. Grupi kriminal nuk e realizoi vrasjen, pasi Ndoka nuk erdhi në vendin e pritës.
Në maj të këtij viti, në kuadër të operacioni të quajtur “Revanshi” Prokuroria e Posaçme njoftoi se ka goditur 7 grupe të strukturuara kriminale dhe firmosi 50 urdhër arreste për bosë të krimit dhe anëtarë të grupeve të tyre kriminale. Gjithashtu njoftoi se sekuestroi pasuri me vlerë 4.5 milionë euro, ku përfshihen bizhuteri dhe ora të shtrenjta, flori, euro cash, armë zjarri, automjete luksoze të blinduara, sisteme vrojtimi kamerash, tavolinë pokeri etj. (Shteg.org)