Vjosa Osmani ka kërkuar që kryengociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi të tregojë se për çfarë temash ka biseduar e rënë dakord në Bruksel me të dërguarin e Bashkimit Europian për dialogun, Miroslav Lajçak.
Presidentja e Kosovës paralajmëroi se do të shkelej sovraniteti dhe Kushtetuta e vendit “në qoftë se dikush bën dialog për urën e Ibrit me Serbinë”.
“Është thënë në publik se ka arritur dakordësi mbi disa çështje me zotin Lajçak. Por, po e përsëris, në qoftë se dikush bën dialog për urën e Ibrit me Serbinë, kjo është shkelje e sovranitetit, e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe në asnjë moment nuk është në interes të Kosovës që kjo temë të jetë pjesë e dialogut me Serbinë”, u shpreh prerazi Osmani, që shtoi se në dialog, nuk ka barazi.
Presidentja shtoi se çështja e hapjes së urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë “duhet patjetër të diskutohet me partnerët e sigurisë”, duke kujtuar se edhe vetë marrëveshjet e Brukselit e kërkojnë një gjë të tillë”.
Një ditë më parë, ministri i brendshëm Xhelal Sveçla deklaroi se ura do të hapet shumë shpejt, e për këtë, përmendi koordinimin me bashkësinë ndërkombëtare dhe bisedat në Buksel. Edhe zyra e kryeministrit Albin Kurti deklaroi pas takimit Bislimi-Lajcak se “sa i përket urës mbi lumin Ibër, edhe për BE-në është e qartë se nuk ka alternativë tjetër përpos hapjes së saj”.