Dy ditë pasi u njoh me akuzat që rëndonin ndaj tij për sa i përket çështjes së privatizimit të kompleksit sportiv “Partizani”, të premten u paraqit në SPAK Jamarbër Malltezi. Dhëndri i ish-kryeministri Sali Berisha ankimoi edhe një herë masën e sigurisë arrest shtëpie në Gjykatën e Posaçme të Apelit.
Në pritje të vendimit, ai hodhi akuza paraprake ndaj Strukturës së Posaçme Antikorrupsion për hetime të njëanshme më urdhra politikë.
“Kjo çështje nisi me kallëzimin e rremë të Taulant Ballës. Ajo që mora vesh tani është se SPAK-u paska çuar në Arkiv të Shtetit hetues, patronazhistë për të gjetur letërkëmbimin e stërgjyshërve të Jamarbër Malltezit. E bukura është qënë ato letra stërgjyshi im i thoshte jo autoritetit të kohës, s’ta jap tokën. SPAK kishte dashur të merrte letërkëmbime edhe nga Italia. Pra SPAK-u nuk ka bërë pjesë të dosjes ligjet e kohës, por shkon të marrë letërkëmbimet. Kjo tregon nënshtrimin politik në skajin më përqeshës,” u shpreh z. Malltezi pas daljes nga GJKKO-ja.
Ndryshimin e masës e kërkoi edhe ish-kryeministri, i cili nuk u paraqit personalisht, por përmes avokatëve të tij.
Mesditën e 11 shtatorit, z. Berisha u mor i pandehur nga SPAK për korrupsion pasiv, zyrtari më i lartë ndaj të cilit SPAK shpall një akuzë të tillë. Korrupsion dhe pastrim parash është edhe akuza që kundërshton z. Malltezi.
Ditën e djeshme, më 12 shtator, të pandehur për aferën “Partizani” u morën edhe biznesmenët Fatmir Bekteshi dhe Xhim Begeja, ortakët e z. Malltezi për ndërtimin e kullave në kompleksin “Partizani”. Bekteshi do të përgjigjet për korrupsion aktiv, ndërsa Begaja për akuzën e pastrimit të parave.