Hipokrizia e parë në lotët e Belind Këlliçit dhe shumë eksponentëve të tjerë të Rithemelimit, të cilët ditët e fundit pretendojnë se vajtojnë vdekjen e parakohshme të Gerti Bogdanit, është identike me lotët e derdhur nga Sali Berisha kur u vra Azem Hajdari apo kur vdiq në një aksident rrugor Sokol Olldashi. Klonet e Berishës sillen njësoj si ai kur vdes një kundërshtar politik. Dhe Gerti Bogdani u trajtua si një kundërshtar i ashpër politik nga Belind Kelliçi në garën paraprake të Partisë Demokratike, në të cilën të dy garonin si kandidatë për kryetar bashkie përpara zgjedhjeve bashkiake të Tiranës 2023 (së bashku me Fatbardh Kadillin dhe Ilir Alimehmetin). Një garë e pistë ku Kelliçi goditi Bogdanin, duke e etiketuar për muaj të tërë si “kandidati i inceneratorëve” për shkak të një fotoje të vjetër që tregon Bogdanin në Zimbawe së bashku me Mirel Mërtirin.
Qentë mediatikë që Kellici përdor sa herë i duhet të godasë një kundërshtar (të cilin si Berisha i konsideron armiq personal) u egërsuan me një lumë artikujsh kundër Gerti Bogdanit, një eksponent politik i moderuar dhe paqësor shumë i ndryshëm nga klonët e Saliut që u zbulua i paaftë për t’u mbrojtur përballë atij lumi të helmeve dhe shpifjeve ku merrte pjesë edhe televizioni i Berishës, që e ftonte në studio për ta poshtëruar. Gerti Bogdani e humbi garën (ndoshta e manipuluar) dhe Belind Kelliçi e fitoi sepse kështu deshën Sali Berisha dhe familja e tij. Një kandidat perfekt për Rithemelimin që në fakt humbi zgjedhjet me 60 mijë vota diferencë me Erion Veljain.
Por Kellici është si Berisha, nuk e harron urrejtjen, dhe linçimi i tij ndaj Bogdanit vazhdoi edhe më pas: Artikulli i fundit i porositur nga bashkëpunëtori i tij në shpifje ishte vetëm 3 muaj më parë! Ndërkohë, Bogdani ishte përzënë nga çdo post dhe funksion partiak dhe nuk e dimë nëse të gjitha këto sulme dhe ky trajtim i egër që iu bë nga partia e tij ndikuan në dobësimin e zemrës së tij të brishtë, sepse edhe fjalët helmuese dhe shpifje mund të vrasin. Por leximi dhe dëgjimi i fjalëve hipokrite të Këlliçit dhe bashkëpunëtorëve të partisë së tij që lavdërojnë figurën dhe kujtesën e tij pas vdekjes të bën vërtet të vjellësh./Shqiptarja