Deklarata e Gazment Bardhit, se Pëllumb Gjoka, biznesmeni i arrestuar me urdhër të SPAK, caktonte drejtuesit e policisë së Shkodrës, ka shkaktuar një furtunë reagimesh dje në Kuvend, por edhe në deklarata publike. Dy avokatët e Pëllumb Gjokës, njëri prej të cilëve ish-ministri i drejtësisë Ylli Manjani, shprehen se deklaratat e Bardhit janë të papranueshme, e madje duhet të jenë subjekt i hetimeve për shpifje. Gurali Brahimllari, avokati i biznesmenit Pëllumb Gjoka, në një deklaratë të dhënë sot për mediat para SPAK, kërkoi që kreu i Grupit parlamentar të PD Gazment Bardhi, të ndiqet penalisht.
Nga ana tjetër, Manjani tha se nuk ka asnjë provë bindëse, që përdoruesi i SKY që u përmend nga Bardhi, të jetë biznesmeni Gjoka.
“Ne kemi 14 muaj që jemi në procese gjyqësore, jo për të goditur, por për të nxjerrë të vërteten. Ta lidhësh një kod të kodit Sky-ECC me Pëllumb Gjokën është kurajo shumë e madhe. Pëllumb Gjoka ka mohuar të jetë përdorues i përdorimit të Sky-ECC. Nuk ka asnjë gjurmë që të lidhin kodin në Sky-EÇ me personin.
Nuk ka asnjë gjurmë që të lidhë kodin në Sky-ECC me personin. Banesat e Pëllumb Gjokës janë kontrolluar me imtësi. Kemi 14 muaj që po merremi me këtë. Rast i paprecedentë ajo qe ka deklaruar Gaz Bardhi, i cili është jurist. Pëllumb Gjoka nuk ka patur SKY”- tha Manjani.
“Diku po në të njëjtin përgjim, po ky kod përdor shprehjen “për shpirt të babës”. Këtë ne e përdorim kur baba është i vdekur, Pëllumb Gjoka e ka babën gjallë. Ta lexojë (Bardhi) se e ka aty dhe do binden që nuk është e Pëllumb Gjokës ajo”, vijoi Manjani.