Me 29 vdekje të tjera në 24 orët e fundit, bilanci i viktimave në Vietnam nga tajfuni Yagi është rritur në 262, raportojnë sot mediat lokale.
Më shumë se 820 persona janë lënduar dhe 83 janë ende të zhdukur, raportoi VN Express, duke cituar agjencinë shtetërore për menaxhimin e fatkeqësive.
Yagi javën e kaluar shkaktoi shira të dendur, përmbytje dhe rrëshqitje dheu në bregun verilindor të Vietnamit.
Autoritetet janë ende në kërkim të 41 personave të zhdukur pasi përmbytjet e mëdha rrënuan 37 shtëpi në fshatin Nu në provincën malore veriore Lao Cai.
Rreth 46 të tjerë janë konfirmuar gjithashtu të vdekur nga fshati, thuhet në raport. Rreth 115 persona në një fshat tjetër në Lao Cai, të cilët u shpallën të zhdukur, u kthyen të sigurt pasi u strehuan në një mal për dy ditë.
Mbi 130 mijë njerëz janë evakuuar, ndërsa rreth 137 mijë shtëpi janë dëmtuar. Tajfuni shkatërroi gjithashtu infrastrukturën, duke rrëzuar shtyllat e telekomunikacionit dhe duke shkulur pemët në zonat urbane.
Kompanitë e sigurimeve të enjten gjithashtu morën kërkesa në vlerë totale 285 milionë dollarë për dëmet e shkaktuara nga tajfuni, tha Ministria e Financave e vendit.