Përfaqësuesja e Kosovës nuk po kalon një situatë të këndshme dhe përtej humbjes me Rumaninë, në radhët e ekipit tashmë ka krisje të forta dhe situata që po dëmtojnë shanset e saj për të bërë hapa para.
Kjo duket qartë nga vendimi i fundit i stafit teknik, i cili ka përjashtuar tre lojtarë shumë të rëndësishëm për ndeshjen me Qipron, me Federataën Kosovare të Futbollit, që ka bërë të ditur se Edon Zhegrova, Arijanet Muriç dhe Florent Muslija janë përjashtuar nga grumbullimi për ndeshjen e radhës për thyerje disipline.
“Me vendim të përbashkët të përzgjedhësit Franko Foda dhe Federatës, tre futbollistët: Arjanet Muriç, Edon Zhegrova dhe Florent Muslija janë larguar nga grumbullimi i ekipit kombëtar, për shkak të thyerjes së rregullores së ekipit kombëtar të vendosur nga përzgjedhësi dhe Federata.
Për masat e mëtejme ndaj futbollistëve në fjalë, do të vendoset nga Komiteti Ekzekutiv i FFK-së. Ndërkohë, ekipit do t’ i bashkohet, portieri që ka qenë në listën e pritjes, Faton Maloku nga FC Drita”,- shkruhej në njoftimin e Federatës së Kosovës.