Kanë dalë pamjet e arrestimit të 32-vjeçarit Edison Elezaj, i shpallur në kërkim që në Korrik të këtij viti, pasi në ambientet e lokalit ‘Savoy Garden’, plagosi me armë zjarri 3 persona, me të cilët ishte duke festuar një ditëlindje. Elezaj, sipas policisë, fshihej në një hotel në Kukës, ku u bë e mundur që të arrestohej, me ndërhyrjen e sektorit ‘Shqiponja’ në policinë e Tiranës, në bashkëpunim me policinë lokale.
Si ndodhi plagosja
Edison Elezaj ishte i pranishëm në një festë që po zhvillohej në “Savoy Garden”, në një restorant luksoz pranë kompleksit Delijorgji në kryeqytet. Ai ka nxjerrë armën e llojit “TT” që mbante pa leje dhe ka qëlluar tre herë, duke lënë të plagosur tre anëtarë të së njëjtës familje, dy vëllezërit Pengili dhe motrën e tyre, Elona Pinari. Të plagosurit u dërguan në një spital privat në Tiranë, ku fatmirësisht ishin jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë që menjëherë pas ngjarjes, Policia dha deklarata kontradiktore, kur ngjarja u referua si aksidentale, edhe pse arma u gjet disa orë më vonë, e hedhur në lumin Lana.