71-vjeçari Dominique Pelico, i cili akuzohet për drogimin e gruas së tij dhe rekruetonte dhjetëra burra për ta përdhunuar për më shumë se 10 vjet, ka pranuar të gjitha akuzat që janë ngritur kundër tij. Ai tha në gjykatë se së bashku me 50 të pandehurit e tjerë të akuzuar janë përdhunues.
“Unë jam një përdhunues, si gjithë të tjerët në këtë dhomë. Ata të gjithë ishin në dijeni se ajo ishte e droguar, pavarëisht se thojnë tjetër gjë. Ajo nuk e meritonte këtë, isha shumë i lumtur me të”, tha ai para trupës gjykuese.
Vetëm 15 nga 50 të pandehurit pranojnë akuzat për përdhunimin, ndërsa të tjerët thojnë se ata kanë marrë pjesë në aktet seksuale pasi mendonin se kjo ishte prefernca e çiftit.
Para gjykatës, ai i kërkoi ndjesë gruas dhe familjes së tij, duke thënë se edhe pse është e paparanueshme atij sërish i vjen keq.
Gisèle, të cilës iu dha mundësia të përgjigjej pas deklaratës së tij, tha se është e shokuar dhe nuk mund ta imagjinonte se bashkëshorti me të cilin ka qenë e martuar prej 50 vitesh do të bënte diçka të tillë.
“Është e vështirë për mua ta dëgjoj këtë. Për 50 vjet, kam jetuar me një njeri që nuk do ta kisha imagjinuar kurrë se mund të ishte i aftë për këtë. I besova atij plotësisht”, tha ajo.
Edhe pse nuk lejohen kamera në gjykatë, përsëri publikut iu lejua pjesëmarrja në gjykatë me kërkesë të Gisèle Pelicot, e cila hoqi dorë nga e drejta e saj për anonimitet në fillim të procesit. Ekipi i saj ligjor tha se një gjyq i hapur do ta bënte atë të ndihej më mirë dhe se të akuzuarit e meritojnë “turpin”.
Teksa doli nga salla e gjyqit gjatë një pauze në seancën e së martës, Gisèle u prit me duartrokitjet nga publiku, të cilët i dhuruan lule.
Që prej fillimit të gjyqit, Gisèle është bërë një simbol i qëndrueshmërisë dhe guximit. Fundjavën e kaluar, mijëra njerëz u mblodhën në qytete në të gjithë Francën për të treguar mbështetjen e tyre ndaj saj dhe viktimave të tjera të përdhunimit, dhe gjyqi ka ndezur një bisedë kombëtare mbi përdhunimin martesor, miratimin ndaj marrëdhënieve seksuale mes dy çifteve dhe nënshtrimin kimik.
Pelicot, i cili është baba dhe gjysh, e filloi dëshminë e tij duke i treguar gjykatës përvojat traumatike të fëmijërisë dhe tha se ishte abuzuar seksualisht nga një infermier kur ishte nëntë vjeç.
Kur u pyet për martesën e tij me Gisèle, Pelicot tha se mendoi të vetëvritej kur zbuloi se ajo kishte një lidhje jashtëmartesore.
Gjatë gjithë dëshmisë së tij të martën në mëngjes, Pelicot siguroi në mënyrë të përsëritur gjykatën se ai kurrë nuk e “urrente” gruan e tij dhe në fakt ishte “i çmendur pas saj… Unë e doja pa masë dhe e dua akoma”.
“E doja kur ishte mirë për 40 vjet dhe keq për 10”, shtoi ai, me sa duket duke iu referuar dekadës gjatë së cilës e drogoi dhe abuzoi me të. Pelicot më pas u mor në pyetje nga Stéphane Babonneau, një nga avokatët e Gisèle, i cili e pyeti atë pse ai nuk kishte ndaluar abuzimin me të, edhe kur ajo filloi të paraqiste probleme mjekësore.
Në seancat e mëparshme të gjykimit, Gisèle tha se kishte qenë e shqetësuar se po zhvillonte Alzheimer ose një tumor në tru për shkak të humbjes së flokëve dhe peshës dhe humbjes së kujtesës. Këto ishin, në fakt, efektet anësore të barnave që i jepte i shoqi.
“Unë u përpoqa të ndaloja, por varësia ime ishte më e fortë, nevoja po rritej. Unë po përpiqesha ta qetësoja kur ajo mendonte se ishte sëmurë, e tradhtova besimin e saj. Duhet të kisha ndaluar më shpejt, në fakt nuk duhet të kisha filluar fare”, tha ai.
Pelicot akuzohet gjithashtu se ka droguar dhe abuzuar seksualisht me vajzën e tij, Caroline, pasi fotot e saj gjysmë të zhveshura u gjetën në laptopin e tij. Ai më herët e ka mohuar këtë dhe të martën ka deklaruar gjithashtu se nuk e ka prekur kurrë vajzën dhe nipërit e mbesat e tij. “Unë mund ta shikoj familjen time në sy dhe t’u them atyre se asgjë tjetër nuk ka ndodhur”, tha ai.
Pelicot tha se ai filloi që të kishte këto mendime në vitin 2010, kur po bisedonte me një infermier në internet, i cili i sugjeroi të drogonte gruan e tij me një lloj droge. Ai gjihashtu e mësoi dhe si ta kontrollonte situatën dhe madje ndau me të disa foto të grave të droguara. “Gjithçka filloi atëhere, sapo pash ato fotografi, diçka lindi në trurin tim”, tha ai.
Gjatë seancës ai u pyet gjithashtu për mijëra video që ai filmoi të burrave që abuzonin seksualisht me gruan e tij, e cila ishte pa ndjenja. Këto u gjetën nga hetuesit dhe ishin të rëndësishme në gjurmimin e 50 burrave që tani akuzohen për përdhunim.
Pelicot tha se i kishte filmuar burrat pjesërisht për “kënaqësi”, por edhe “si sigurim”. Gjithashtu ai tha se të akuzuarit po gënjejnë kur shprehen se ajo kishte dhënë konsensus, pasi ata ishin të vetëdijshëm se ajo ishte e droguar.
Pelicot bisedonte me të pandehurit në një faqe internet, ku kishte krijuar dhe një grup me titullin “Pa dijeninë e saj”, kjo faqe tashmë është e mbyllur dhe aty ndodheshin mijëra materiale pornografike.
“Nuk kam detyruar askënd, kanë ardhur me dëshirë. Më pyetën nëse mund të vinin dhe unë u thashë po, nuk kam tërhequr zvarrë askënd”, dëshmoi ai.
Gjyqi i tij është ndërprerë për momentin dhe pritet të vazhdojë sërish gjatë ditës së sotme. Ky vlerësohet si një nga gjyqet më të mëdhenj në Francë.