Biznesmeni Kristian Boçi, ka humbur shikimin në njërin sy, si pasojë e aksidentit në të cilin u përfshi pak ditë më parë.
Përmes një postimi në rrjetin social “Instagram”, Boçi tregon se është verbuar në syrin e majtë.
“Qenka e rëndë të zgjohesh pas 47 viteve me njërin sy. Faleminderit Zot për çdo të mirë dhe të keqe që më dhuron. Ta duam dhe ta vlerësojmë Zotin në çdo hap. Zoti ua bekoftë dorën për çdo sms. Faleminderit Spitali Ushtarak”, shkruan biznesmeni.
Boçi ka falënderuar mjekët e Traumës dhe Zotin teksa thotë se i ka ruajtur fëmijët, të cilët shpëtuan pa lëndime nga aksidenti, kur mjeti doli nga rruga dhe përfundoi në kanal.
Aksidenti ndodhi në 13 shtator në autostradën Rrogozhinë-Lushnjë, në afërsi të fshatit Golem. Automjeti tip Mercedez humbi kontrollin pasi ka kaluar barrierat e hekurta ka përfunduar në kanalin anësor të autostradës.
Kristian Boçi, ndodhej në automjet me dy fëmijët e mitur, të cilët u transportuan me urgjencë në spitalin e Lushnjës, ku morën trajtim mjekësor. Paraprakisht dyshohet lagështia dhe shpejtësia e lartë ndikuan në aksident.