– Shqipëria vijon rënien në renditjen e FIFA-s. Pavarësisht fitores 2-1 në transfertë me Ukrainën, disfata në Arenën Kombëtare me Gjeorgjinë bëri që Kombëtarja të pësoi sërish rënie në klasifikimin botëror të FIFA-s.

Kuqezinjtë kanë humbur një vend dhe tashmë renditen të 67-t në botë, duke u parakaluar pikërisht nga Gjeorgjia. Me fitoren në Tiranë, rivalët e Nations League kryesojnë grupin B1 me pikë të plota dhe janë favoritë për t’u ngjitur në Ligën A.

Ndërkohë ecuria e Kosovës është më e mirë. Përfaqësuesja dardane u mposht në shtëpi nga Rumania, por rikuperoi pas fitores 4-0 në transfertë me Qipron. Kjo bëri që Kosova të fitojë dy vende në renditjen e FIFA-s, ku tashmë e sheh veten e pozicionuar e 104-ta, pas Kenias dhe Taxhikistanit.

Për sa i takon kreut, Argjentina mbetet në vendin e parë në renditje, e ndjekur nga Franca dhe Spanja. Në 15 vendet e para nuk ka asnjë ndryshim, me ekipe si Anglia, Brazili, Belgjika, Holanda, Portugalia apo Italia e Gjermania që ruajnë pozicionet e tyre.