Opozita pret nga momenti në moment që të arrestohet deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji. Por vetëm pak minuta më parë, një shkelje e ka kryer edhe kryedemokrati Sali Berisha. Edhe pse është në “arrest shtëpie”, Sali Berisha ka thirrur në banesën e tij 5 deputetë të Partisë Demokratike. Njëri pas tjetrit nga banesa e Berishës kanë dalë: Flamur Noka, Gazment Bardhi, Agron Gjekmarkaj, Luçiano Boçi dhe Edi Paloka.
Vizita e tyre në banesën e kryedemokratit është në shkelje me urdhërin e lëshuar nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Kjo pasi SPAK ka kërkuar që të mos takohet dhe të mos komunikojë me asnjë person tjetër veç bashkëjetuesëve. Sipas Kodit të Procedurës Penale, takimi i një personi nën arrest shtëpiak me persona të tjerë është i ndaluar pa lejen e Prokurorisë dhe Gjykatës.
Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që Berisha e thyen urdhrin e SPAK dhe GJKKO, pasi edhe më parë ka zhvilluar takime me gazetarë dhe të huaj që kanë shkuar ta takojnë në banesë.