Udhëheqës ushtarakë të Shteteve të Bashkuara dhe Kinës u takuan në Pekin për bisedime rutinë, që rifilluan në janar pas një pezullimi gati dy vjeçar për shkak të përkeqësimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Takimet përfunduan të dielën dhe zyrtarët diskutuan çështje si Tajvani, lufta Rusi-Ukrainë dhe incidentet në Detin e Kinës Jugore.
Michael Chase, zëvendës ndihmës sekretar i mbrojtjes për Kinën, Tajvanin dhe Mongolinë udhëhoqi delegacionin amerikan në Bisedimet dypalëshe të Koordinimit të Politikave të Mbrojtjes, të cilat u mbajtën për herë të fundit në janar. Ndërsa bisedimet nuk pritej të zgjidhnin dallimet mbi çështjet si incidentet në Detin e Kinës Jugore dhe Tajvani, Shtetet e Bashkuara vazhdimisht bën përpjekje për të nxitur diskutime për shmangie të konfliktin mes dy vendeve.
Takimet u zhvilluan pas pjesëmarrjes së zotit Chase në takimin e Xiangshanut në Pekin, një forum i mbrojtjes, që është i ngjashëm me forumin “Dialogu Shangri-La” në Singapor, në të cilin marrin pjesë zyrtarë të lartë të mbrojtjes nga rajoni i Azi-Paqësorit.
Komunikimi midis dy ushtrive u ndërpre në vitin 2021, pasi tensionet SHBA-Kinë u rritën për shkak të dallimeve në rritje për çështje si sovraniteti i Tajvanit, origjina e pandemisë së COVID-19 dhe çështjet ekonomike.
Pekini, në të kaluarën ka injoruar kërkesat e Shteteve të Bashkuara për angazhim në bisedime, veçanërisht lidhur me interceptimet e avionëve dhe anijeve kineze nga ushtria amerikane. Ndërsa komunikimet rifilluan pas takimit të presidentit Joe Biden me homologun e tij kinez Xi Jinping në San Francisko nëntorin e kaluar, nuk është e qartë nëse bisedimet e këtij lloji do të mund të vazhdojnë gjatë garës presidenciale në Shtetet e Bashkuara.
Në bisedimet dypalëshe u diskutua mbi mbështetjen e Kinës për Rusinë gjatë luftës së saj në Ukrainë, si dhe veprimet e Kinës në Detin e Kinës Jugore, tha një zyrtar i lartë amerikan i mbrojtjes në një konferencë për shtypin. Të dielën, anija filipinase “BRP Teresa Magbanua” filloi të largohej nga një rajon i cekët ujor, ndaj të cilit Kina ka pretendime territoriale, për t’u furnizuar dhe për trajtime mjekësore të nevojshme për ekuipazhin e saj. Zyrtari i mbrojtjes tha se Shtetet e Bashkuara “po ndiqnin nga afër zhvillimet atje”.
Pretendimet territoriale të Pekinit në Detin e Kinës Jugore janë bërë gjithnjë e më agresive dhe janë shoqëruar me përplasje në rritje me rojet bregdetare të Filipineve. Në gusht, të dyja palët akuzuan njëra-tjetrën për një përplasje midis anijeve të tyre, që rezultuan në dëmtimin e një anijeje filipinase.
Pretendimet territoriale në rajonet e cekëta detare kanë shkaktuar incidente si ai në ishullin Sabina, që Kina dhe Filipinet thonë se është pjesë e territorit të tyre. Kina bllokoi përpjekjet për të furnizimin e anijes “BRP Teresa Magbanua”, në gusht, me ndihmën e një forcë prej 40 anijesh.
Filipinet thanë se do të dërgonin menjëherë në rajon një anije tjetër, por largimi i anijes “BRP Teresa Magbanua” ka rritur shqetësimin se Kina mund të marrë nën kontroll këtë zonë detare. Shkencëtarët filipinas kishin gjetur më parë grumbuj koralësh të grimcuar në zonat e saj të cekëtat, duke shkaktuar shqetësimin se Kina mund të përgatitet të ndërtojë një strukturë për forcuar pretendimet e saj territoriale të këtij rajoni të Filipineve.
Kina konfirmoi fillimin e largimit të anije nga rajoni, për të cilën tha se “shkelte sovranitetin territorial të Kinës”.
“Gjatë kësaj periudhe, Kina ka marrë masa kontrolli ndaj anijes në përputhje me ligjin dhe ka penguar përpjekjet e shumta nga pala filipinase për të furnizuar me forcë anijen”, tha përmes një deklarate zëdhënësi i Rojës Bregdetare të Kinës, Liu Dejun./ VOA.