Vetëm shtetasit amerikanë kanë të drejtë të votojnë në zgjedhjet për president dhe poste të tjera në Shtetet e Bashkuara.
Megjithëse kjo është gjë e ditur, mundësia e regjistrimit, ose votimit të atyre që nuk janë shtetas, ka marrë shumë vëmendje kohët e fundit.
Duke përmendur fluksin e emigrantëve në vitet e fundit në kufirin me Meksikën, republikanët kanë ngritur shqetësime rreth mundësisë që ata që nuk janë shtetas të votojnë. Ata kanë ndërmarrë hapa në shumë shtete për ta trajtuar këtë çështje, edhe pse rastet kur jo-shtetasit votojnë janë të rralla
Zyrtarët e Partisë Republikane kanë nxitur rishikimin e listave të votuesve, kanë lëshuar urdhra ekzekutivë për këtë çështje dhe kanë bërë ndryshime kushtetuese në lidhje me fletëvotimet e shtetit si pjesë e një plani për të penguar votimin e atyre që nuk janë shtetas. Disa demokratë pretendojnë se masat mund të krijojnë pengesa për votuesit e ligjshëm, se ato janë të panevojshme dhe se i bëjnë njerëzit të besojnë se problemi i votimit të atyre që nuk janë shtetas është më i madh se sa është në të vërtetë.
Çfarë thotë ligji?
Një ligj i vitit 1996 në Shtetet e Bashkuara e bën të paligjshëm për ata që nuk kanë shtetasinë për të votuar në zgjedhjet për president ose për në Kongres. Shkelësit mund të dënohen me gjobë dhe burgim deri në një vit. Ata gjithashtu mund të dëbohen nga vendi.
Kur njerëzit regjistrohen për të votuar, ata konfirmojnë se janë shtetas amerikanë, ndryshe rrezikojnë dënimin për shkak të dëshmisë së rreme. Ligji federal kërkon që shtetet t’i pastrojnë rregullisht listat e tyre të votuesve dhe të heqin këdo që nuk ka të drejtë vote, një proces që mund të identifikojë emigrantët që jetojnë në vend ilegalisht.
Asnjë kushtetutë shtetërore nuk i lejon në mënyrë të drejtpërdrejtë ata që nuk janë shtetas të votojnë. Por, disa bashki në Kaliforni, Meriland dhe Vermont, si dhe në Uashington, e lejojnë votimin për jo-shtetasit për zgjedhjet lokale, si për bordin e shkollës dhe këshillin e qytetit.
Çfarë thonë të dhënat?
Votimi nga ata që nuk janë shtetas është i rrallë. Megjithatë, zyrtarët republikanë kanë vënë në pah se nga rishikimi i listave të votuesve janë vënë re edhe raste të përfshirjes në to të disa prej atyre që me gjasë nuk janë shtetas.
Guvernatori i Teksasit, republikani Greg Abbott tha javën e kaluar se më shumë se 6,500 persona, që me gjasë nuk janë shtetas, janë hequr nga listat e votuesve të shtetit që nga viti 2021. Kjo, sipas tij, përfshin edhe 1,930 individë të cilët kanë marrë pjesë në votim. Emrat e tyre i janë referuar për hetim zyrës së prokurorit të përgjithshëm. Teksasi ka pothuajse 18 milionë votues të regjistruar.
Sekretari i Shtetit të Ohajos, republikani Frank LaRose, tha në muajin gusht se ai dërgoi për ndjekje të mundshme 138 individë që nuk janë shtetas dhe të cilët kishin votuar në zgjedhjet e fundit dhe 459 të tjerë që ishin regjistruar, por nuk kishin votuar. Këto shifra ishin më të larta se vlerësimet e viteve të mëparshme. Ato, megjithatë mbesin një pjesë e vogël e më shumë se 8 milionë votuesve të regjistruar në Ohajo.
Sekretari i Shtetit në Alabama, republikani Wes Allen, njoftoi së fundmi se 3,251 personave të identifikuar më parë nga qeveria federale si individë që nuk kanë nënshtetësinë amerikane, po ju ndryshohet statusi në joaktiv në listat e regjistrimit të votuesve të shtetit. Atyre do t’u kërkohet të ofrojnë vërtetimin e shtetësisë dhe të plotësojnë një formular për të votuar në nëntor. Alabama ka më shumë se 3 milionë votues të regjistruar.
Në Xhorxhia, Sekretari i Shtetit, republikani Brad Raffensperger njoftoi se 1,634 individë, që me gjasë nuk janë shtetas, u përpoqën të regjistroheshin për të votuar midis viteve 1997 dhe 2022. Megjithatë, zyrtarët zgjedhorë i zbuluan se nuk janë shtetas dhe asnjë nuk u regjistrua. Xhorxhia regjistroi miliona votues të tjerë gjatë të njejtës periudhë.
Disa ekspertë të administratës zgjedhore kanë thënë se rishikimet e listave të votuesve tregojnë se mjetet aktuale për të zbuluar votuesit që nuk janë shtetas po funksionojnë.
Çfarë thonë gjykatat?
Arizona ofron një rast studimor për përpjekjet e gjata të republikanëve për të ndaluar votimin e atyre që nuk janë shtetas.
Sipas një nisme të miratuar në vitin 2004, Arizona kërkonte një patentë shoferi, certifikatë lindjeje, pasaportë, ose dokument tjetër të ngjashëm për të miratuar kërkesat për regjistrimin e votuesve. Megjithatë, Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara vendosi në vitin 2013 se Arizona nuk mund të kërkojë prova të shtetësisë në formë dokumentesh, që njerëzit të fitojnë të drejtën të votojnë në zgjedhjet federale.
Shteti u përgjigj duke krijuar dy kategori zgjedhësish. Për zgjedhjet shtetërore dhe lokale, votuesit duhet të ofrojnë dëshminë e shtetësisë kur regjistrohen, ose ta kanë atë në dosje të mbajtur nga shteti. Por, për shkak se kjo nuk mund të kërkohet në zgjedhjet presidenciale dhe ato për Kongresin, dhjetëra mijëra votues të cilët nuk kanë ofruar prova të shtetësisë, janë regjistruar vetëm për zgjedhjet federale.
Një urdhër i gushtit nga Gjykata e Lartë amerikane do të lejojë që formularët e regjistrimit të votuesve të dorëzuara pa “dokumentin që provon shtetësinë” të refuzohen nga qarqet e Arizonës, ndërsa proceset gjyqësore mbi ligjin vazhdojnë. Njerëzit do të mund të regjistrohen për të votuar në zgjedhjet presidenciale dhe ato për në kongres duke përdorur një formë tjetër federale që kërkon që individët të betohen se janë shtetas pa kërkuar prova, por me rrezikun e dënimit, në rast se kanë bërë dëshmi të rreme.
Çfarë nismash përmbajnë fletëvotime e nëntorit për këtë?
Legjislaturat e udhëhequra nga republikanët në tetë shtete kanë propozuar ndryshime kushtetuese në gjuhën që përdoret në fletëvotimet e tyre të nëntorit që nënvizojnë se vetëm shtetasit mund të votojnë.
Propozimet në Ajova, Mizuri, Karolinën e Veriut, Oklahoma, Karolinën e Jugut dhe Viskonsin do të zëvendësojnë dispozitat ekzistuese kushtetuese që deklarojnë se “çdo shtetas” ose “të gjithë” shtetasit mund të votojnë me formulimin e ri që thotë “vetëm” shtetasit mund të votojnë. Mbështetësit thonë se formulimi aktual nuk i ndalon domosdoshmërisht ata që nuk janë shtetas të votojnë.
Në Ajdaho dhe Kentaki, ndryshimi i propozuar thotë: “Individët që nuk janë shtetas të Shteteve të Bashkuara” nuk mund të votojnë. Formulimi i ngjashëm mori miratimin nga votuesit e Luizianës dy vjet më parë.
Votuesit në Dakotën e Veriut, Kolorado, Alabama, Florida dhe Ohajo i miratuan ndryshimet midis viteve 2018 dhe 2022 që theksojnë votimin “vetëm” për shtetasit.
Çfarë tjetër po bëjnë shtetet?
Edhe pse votimi nga individët që nuk janë shtetas tashmë është i ndaluar në kushtetutën e shtetit, guvernatori republikan Jeff Landry i Luizianës po vazhdon të tërheqë vëmendjen për këtë çështje. Së fundmi ai nënshkroi një urdhër ekzekutiv që u kërkon agjencive shtetërore që ofrojnë formularë regjistrimi për të votuar, të përfshijnë një deklaratë, ku të thiuhet se ata që nuk janë shtetas e kanë të ndaluar të votojnë.
Në Xhorxhia, Sekretari i Shtetit, republikani Brad Raffensperger javën e kaluar kërkoi që në çdo qendër votimi të vendoset një tabelë në anglisht dhe spanjisht duke paralajmëruar ata që nuk janë shtetas se është e paligjshme të votosh.
Prokurori i Përgjithshëm i Teksasit, republikani Ken Paxton, duke përmendur “rritjen e konsiderueshme të popullsisë që nuk ka shtetësinë” në Teksas, krijoi një llogari të veçantë emaili të mërkurën për të raportuar shkelje të dyshuara të ligjeve zgjedhore.
Në Viskonsin, republikanët kanë ngritur dy padi të ngjashme në javët e fundit që sfidojnë procesin e shtetit për të verifikuar nëse një votues i regjistruar është shtetas. Paditë kërkojnë urdhra gjyqësore që i kërkojnë komisionit zgjedhor të kryejë kontrolle për t’u siguruar që në listën e votuesve nuk ka individë që nuk janë shtetas.
Çfarë ka bërë Kongresi?
Republikanët në Kongres po bëjnë përpjekje të miratojnë një projekt-ligj, të njohur si “Ligji i Mbrojtjes së Votuesve Amerikanë”. Nëse miratohet ligji do të kërkonte prova të shtetësisë për të votuar. Gjatë një konference për shtyp në lidhje me këtë ligj këtë vit, Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani Mike Johnson, nuk dha shembuj konkret kur ata që nuk janë shtetas kanë votuar, por këmbënguli se ky ishte një shqetësim.
“Ne të gjithë e dimë, në mënyrë intuitive, se shumë ilegalë po votojnë në zgjedhjet federale”, tha ai dhe shtoi “por nuk është diçka që mund të provohet lehtësisht”.
Projekt-ligji është miratuar në Dhomën e Përfaqësuesve, ku republikanët kanë shumicën, në muajin korrik. Ai, megjithatë, nuk është dërguar për votim në Senatin e udhëhequr nga Demokratët. Administrata e Presidentit Biden tha se e kundërshton fuqishëm dhe se ligjet që janë në fuqi kundër votimit nga ata që nuk janë shtetas po funksionojnë.
“Ky projekt-ligj nuk do të bënte asgjë për të mbrojtur zgjedhjet tona, por do ta bënte procesin shumë më të vështirë për të gjithë amerikanët me të drejtë vote dhe do të rriste rrezikun që votuesit me të drejtë vote të hiqen nga listat e votuesve”, tha Shtëpia e Bardhë në një deklaratë.