Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-së tha se janë “të vendosur” të sigurojnë që konfliktet në Lindjen e Mesme të mos përhapen në rajon.
Në një deklaratë me shkrim nga zëdhënësi i Pentagonit, Patrick Ryder, bëhet e ditur se sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin gjatë fundjavës ka ndjekur zhvillimet aktuale në Lindjen e Mesme me ekipin e tij.
“Austin dhe udhëheqësit e Departamentit të Mbrojtjes vazhdojnë të fokusohen në mbrojtjen e qytetarëve dhe forcave amerikane në rajon, mbrojtjen e Izraelit dhe reduktimin e situatës përmes parandalimit dhe diplomacisë”, thuhet në deklaratë.
Në deklaratën e Pentagonit, Austin ka theksuar se SHBA-ja është e vendosur të parandalojë që Irani dhe partnerët e tij të mbështetur nga Irani të shfrytëzojnë situatën ose të zgjerojnë konfliktin.
Departamenti i Mbrojtjes vazhdon të “ruajë një sasi të konsiderueshme aftësish” në rajon dhe të mbajë forcat e saj dinamike sipas situatës në zhvillim të sigurisë, theksohet në deklaratën ku bëhet e ditur se aftësitë e mbështetjes ajrore mbrojtëse të SHBA-së do të “forcohen edhe më tej” në ditët në vijim.
Pasi Izraeli vrau liderin e Hezbollahut, Hassan Nasrallah në një sulm në kryeqytetin e Libanit, Bejrut, ambasada e SHBA-së në Bejrut u bëri thirrje qytetarëve amerikanë në Liban të krijojnë një plan veprimi të krizës kundër konflikteve të mundshme dhe të përgatiten të qëndrojnë në vendet e tyre për periudha të gjata kohore”.
Të afërmve të qytetarëve amerikanë të cilët qëndrojnë në vend iu kërkua të rishqyrtojnë planet e tyre për të vizituar Libanin në rast se konfliktet në rajon përshkallëzohen.