Historia famëkeqe e Shërbimit Informativ Kombëtar gjatë trazirave të vitit 1997, solli debatin në parlament në vitin 1999 dhe nevojën për t’i ndryshuar emrin këtij institucuioni shtetëror. Komisioni parlamentar për Rendin dhe Sigurinë, kishte propozuar që të bëhej ndryshimin nga SHIK në SHISH. Drejtues me rëndësi të mazhorancës dhe opozitës si Gramoz Ruçi dhe Sabri Godo u përfshinë në këtë debat që përfundoi me të qeshura masive në sallën e deputetëve nga batuta e Dritëro Agollit.
Dritëro Agolli – Jam dakord me të gjitha ato që u thanë, me Gramozin dhe me Sabri Godon. Edhe po tja ndrojmë ne emrin, ajo do të mbetet po SHIK. Verja SHISH, verja MIS, se mund tja vesh edhe Ministria e Informacionit Shtetëror dhe mbetet kështu MISH. Më mirë ta lemë siç është.
Pjesë nga debati në seancë parlamentare Prill 1999
Batuta e Agollit do të vinte pas deklaratës së kryetarit të grupit parlamentar socialist në atë kohë, Gramoz Ruçi dhe kryetarit të Prtisë Republikane, Sabri Godo. Përballja më interesante është ajo mes Agollit dhe Godos, dy personlitete me peshë në politikën e kohës dhe përtej saj si dhe personazhe të njohur për stilin unik të folurës në publik përmes batutave apo fjalimeve që kanë lënë gjurmë në sallën e kuvendit të Shqipërisë.
Gramoz Ruçi –Në planin politik, grupi i maxhorancës mendon se ndryshimi i emrit nuk është ndonjë detyrim kushtetues. Në planin politik mendojmë dhe gjykojmë se jo sa herë që vijnë forcat e ndryshme politike në pushtet duhet të ndryshojnë emërtimet e shërbimeve të tilla me kaq rëndësi kombëtare. Mendojmë kështu edhe për faktin tjetër se ky i shërben shtetit dhe ne jemi një shtet me specifikë që kemi po kaq shqiptarë jashtë kufijve shtetëror, pra çështja kombëtare është më e madhe. Në planin gjuhësor mendojmë se tingëllon më mirë SHIK sa sa SHISH. Duke u nisur nga këto të treja, grupi i maxhorancës është dakord të mbetet “Shërbimi Informativ Kombëtar”.
Sabri Godo – Unë e përkrah mendimin e zotit Ruçi. Nuk më duket serioze që sa herë të ndrojnë forcat politike edhe në parlament të ndryshojmë emrat e institucioneve. E dyta, për atë që dikush thote se një herë ka punuar mirë dhe një herë ka punuar keq SHIKU, kjo më duket e pa arsyetuar fare. Është njëlloj sikur të thuash tani hajde të ndrojmë emrin e Ministrisë së Mbrojtjes meqë ka qenë një Ministri Mbrojtjeje ca kohë më përpara. Nuk e kuptoj se si arsyetojnë disa njerëz këtu. E treta, për atë që ne i themi SHISH, të gjithë e dimë se nënkuptojmë atë që shkojmë në hell. Këtë emër do t’i vemë këtij organi? Mua më duket se nuk ja vlen të diskutohet kjo. Hidheni në votë dhe të marrë fund kjo mesele.