Ndryshimet klimatike dhe ndotja e shkaktuar nga njeriu kanë dyfishuar gjasat që Europa Qendrore të goditet nga reshje masive që do të sjellin përmbytje shkatërruese në të ardhmen.
Këto janë përfundimet që kanë dale nga një studim i World Weather Attribution, një grup shkencëtarësh që kryen studime të shpejta mbi pasojat e ndryshimeve klimatike.
Reshjet e shiut do të jenë nga 7% deri në 20% më intensive në Europë si pasojë e aktivitetit të kryer nga dore e njeriut në dëm të planetit.
Një shembull i asaj që na pret në të ardhmen sipas World Weather Attribution është edhe stuhia Boris që goditi Europën Lindore dhe Qendrore përgjatë muajit shtator.
Kjo stuhi solli përmbytje në Rumani, Poloni, Çeki, Austri, Hungari, Sllovaki dhe Gjermani duke lënë pas 24 viktima dhe miliona euro dëme.
Shkencëtarët kanë dale në përfundimin se këto reshje ishin më të fortat të regjistruara ndonjëherë në Europën Qendrore dhe dy here më të forta sesa zakonisht për shkak të djegies së qymyrit, naftës dhe Gazit natyror nga njeriu.
Për të testuar ndikimin e njeriut tek ndryshimet klimatike, ekipi i shkencëtarëve të World Weather Attribution analizoi të dhënat e motit që nga kohërat para-industriale e deri më sot.
Në përfundim të studimit të tyre këta shkencëtar që janë bërë bashkë në vitin 2015 thanë se nëse temperaturat do të vijojnë të rriten në planet me 2 gradë Celcius që nga epoka para-industriale, atëherë stuhitë të tilla 4 ditore si “Boris” do të ketë gjasa të rriteshin me 50% më shumë.