Prokurori i Tiranës, Bledar Valikaj, njëhërësh bashkëshorti i deputetes socialiste Ermonela Felaj, është thirrur këtë të premte në ambientet e Prokurorisë së Posaçme. Ai ka hyrë në godinën e SPAK, rreth 08:54, ku dorëzoi sendet e tij personale dhe iu drejtua zyrave të hetuesisë, dhe ka dalë prej andej pas afro dy orësh. Në mënyrë jozyrtare mësohet se Valikaj do të merret në pyetje në lidhje me dosjen që çoi në pranga ish-kreun e Prokurorisë së Vlorës Aurel Zarka.
Emri i Valikajt, si i lidhur me këtë dosje është përmendur publikisht dhe nga kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, i cili akuzoi nga foltorja e Kuvendit.
Në fillim të muajit Shtator, Bardhi përmendi në Kuvendm se ka një dosje hetimore dhe paralajmëroi se deputetja do të thirret për të dhënë sqarime për çështjen nga autoritetet ligjzbatuese.
“Unë mund të them ty për blerjen e bluzës të Toptani, që pastaj del … e pra, e di ti! Bluze te Toptani dhe pastaj korruptojmë prokurorin që të lirojmë personin. Prit, prit, se do kesh shumë mundësi të japësh sqarime dhe për këtë”, iu drejtua Bardhi-Felajt, i cili nisur nga akuzat, la të kuptohet se ka dijeni për një rast korrupsioni për të cilin ekzistojnë edhe përgjime.
Sa i takon dosjes ‘Zarka’, e cila deri tani është mbajtur në mënyrë hermetike nga ana e SPAK, dyshohet se në të janë përfshirë personazhe të drejtësisë, të kapur në përgjime. Prokurorët dyshohet se kanë marrë rryshfet, dhe kanë tentuar mbylljen e hetimeve për dosjen Toyota Yaris.