Në Spanjë këtë të enjte do të mbahen protesta mbarëkombëtare me qëllim arritjen e një marrëveshjeje mes qeverisë dhe sektorit të biznesit për uljen e orarit javor të punës nga 40 orë me 2.5 orë.
Punëdhënësit po e refuzojnë atë sepse janë të shqetësuar për rritjen e kostove, ndërsa socialistët e kryeministrit spanjoll Pedro Sanchez po përpiqen të bindin bizneset të pranojnë një plan për të reduktuar javën e punës, duke thënë se ndryshimi do të çojë në rritjen e produktivitetit, raportoi Reuters.
Pronarët e bizneseve kanë frikë se propozimi do të thotë që punonjësit të punojnë më pak orë për të njëjtën pagesë si më parë.
Ish-kreu i Bankës Qendrore Evropiane, Mario Draghi, deklaroi në një raport, i cili u bë këtë muaj për Komisionin Evropian, se BE-ja duhet të kapërcejë hendekun e produktivitetit midis anëtarëve të saj për të mbajtur ritmin me rivalët ekonomikë, SHBA-në dhe Kinën.
Spanjollët punojnë më shumë orë se shumica e evropianëve, dhe sipas Eurostat, mesatarja e javës së punës në Spanjë ishte 36.4 orë në vitin 2023 krahasuar me mesataren e BE-së prej 36.1 orësh.
Në vitin 2000, Franca prezantoi një javë pune 35-orëshe, duke pritur që ajo të çonte në krijimin e qindra mijëra vendeve të punës.
Por të dhënat tregojnë se ka pasur një rritje të kostos së punës dhe se kompanitë janë bërë më pak konkurruese, sipas agjencisë britanike.