Nga Mero Baze
Lulzim Basha nuk është më afër Gazment Bardhit. Ky i fundit arriti ta spostojë në rreshtin e fundit në Kuvend, duke përdorur vulën dhe logon që tani nuk e ka më Basha, por Berisha.
Nëse i hedh një sy lëvizjeve së karrigeve nga viti 2021, kur ka filluar kjo legjislaturë e Kuvendit të Shqipërisë, vendet brenda PD janë ndërruar vazhdimisht. Kuvendi filloi me përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar. Kështu për herë të parë Lulzim Basha zboi Berishën nga karrigia afër tij, duke e shpallur deputet të pavarur dhe duke shkuar ë fund. Bardhi u afrua në vend të Berishës afër Bashës. Të tjerët u rreshtuan pas tyre.
Berisha mbeti vetëm dhe doli në rrugë duke krijuar “foltoren” e tij. Donte një vend që të mos ja caktonin karriget, por t’i caktonte përsëri ai.
Dhe kështu ndodhi. I pari që iku nga besnikët e Bashës ishte Këlliçi, dhe shkoi tek Foltorja. Pastaj Luçiano ndërroi vend në kuvend dhe ju afrua Nokës dhe Vokshit.
Kështu beteja vazhdoi deri më 8 janar, kur u improvizua beteja fizike mes tyre.
Beteja u fitua nga grupi i Bashës përballë çetës së Berishës. Grida Duma doli si triumfatore nga kështjella ndërsa Salianji i shau ata “bira kurve” që donin t’u merrnin PD me forcë.
Berisha i shpartalluar dhe i ligështuar nga humbja shëtiste vetëm me Flamurin dhe dhëndrin e tij buzë Lanës, që mallkonte Lulzim Bashën se ka marrë strajca me lekë.
Aty ndërhyri Ilir Meta dhe shpalli zgjedhjet e pjesshme në disa bashki të Shqipërisë, për të provuar që Berisha ishte më i fortë se Luli. Dhe ashtu ndodhi.
Menjëherë pas zgjedhjeve, karriget në Kuvend ndryshuan prapë. Deputetja e Sarandës, që ishte më e flakta për Bashën, kaloi ylberin dhe u afrua nga Berisha. Salianji i cili kishte gjyqin nëpër këmbë, po ashtu. Grida e pa të udhës mos të shkonte pas kolegut Berisha, por të ikte në Top Channel. Bardhi po rezistonte sërish pranë Bashës.
Pastaj erdhën zgjedhjet lokale të 2023 dhe Basha me Bardhin ranë dakord të abstenojnë në zgjedhje duke mos marrë pjesë me kandidatë, përveç disave që nuk i pyetën. Me këtë skemë kishin rënë dakord që kur të mbaronin zgjedhjet të fajësonin Berishën për humbjen e PD. Bardhi ndërkohë kishte bërë gati dhe gjithë paditë kundër Berishës në gjykatë.
Zgjedhjet mbaruan, Berisha humbi thellë, por prapë ja hodhi fajin Bashës. Atëherë Basha u rikthye dhe rimori PD-në e mbetur. Bardhi u mërzit dhe nuk i fliste më në tavolinën e Kuvendit, edhe pse e kishte ngjitur.
Kjo mëri vazhdoi deri në janar kur udhëtoi në “Mëngjesin e Lutjeve” në SHBA me Damianin. Aty u ra dakord që Damiani ta ndihmojë që PS të bëjë pakt me Berishën për normalizim të Kuvendit dhe këtë Bardhi t’ia shesë Berishës si fitore dhe ai t’ia falë gabimet. Po ashtu do flitej dhe me gjyqtarët që t’ia jepnin Berishës vulën. Ashtu u bë!
PS ndihmoi Bardhin të pajtohej me Berishën dhe të bëhej udhëheqës pranë tij, duke pranuar të humbiste paditë kundër Berishës. Me këtë rast ranë dakord dhe për votat për amnistinë në fund të vitit, si dhe reformën zgjedhore, që është tërësisht në favor të PS.
Kështu sesioni i ri e gjeti Bardhin në krye të PD së Berishës dhe Bashën thuajse pa mbështetës. Edhe Alibeaj që ishte në anën tjetër të tij, vendosi të ikë e të bashkohet me Dash Shehin.
Në këtë moment triumfalizmi Bardhi vendosi të hakmerret ndaj Bashës dhe ta çojë në fund, aty ku Basha çoi Berishën tre vite më parë.
Nëse këtë film me metrazh të gjatë tre vjeçar e xhiron shpejt të shikosh se si kanë lëvizur karriget në Kuvend në krahun e PD, e vetmja gjë që bie në sy është se gjatë tre viteve luftë për karrige, bie në sy vetëm se si ky Gazment Bardhi nga beteja për të qenë ngjitur me Bashen, arriti të shkojë ngjitur me Berishën.
Por kjo nuk është fitore e tij. Kjo është fitore e Berishës ndaj Bashës. Është një akt cinik i Berishës për t’i treguar Bashës që të çoj në rresht të fundit me po ata që më çove ti. Me Gaz Bardhin!
Nga ana tjetër kjo tregon dhe përse u duhet ngjitur kryetarëve Gazment Bardhi.