Trajneri i Kombëtares Sylvinho mbajti një konferencë për shtyp para ndeshjes Ukrainë-Shqipëri, ku foli për përgatitjen e skuadrës ndaj kësaj ndeshjeje. Ai e cilësoi Ukrainën një skuadër të vështirë, por u shpreh se lojtarët janë të përgatitur.
“Është moment delikat për futbollistët. Pas një Europiani, me shumë pak pushim, ndodhin dëmtimet. Ka shumë ndeshje, nuk është e lehtë. Shumë prej lojtarëve nuk kanë bërë pushime. Por, është mundësia për lojtarët e tjerë. Është një grup shumë i vështirë. Ukrainën e kemi parë, trajneri Rebrov është i zoti, kanë lojtarë shumë të mirë në mesfushë, mbrojtje të fortë dhe portier të shkëlqyer. Është ekip i organizuar”, tha Sylvinho.
Ai po ashtu foli edhe për Uzunin dhe Ismajlin, të cilët do të marrin pjesë në Nations League. Ai tha se ata janë gati për ndeshjen dhe “të karikuar”. Ai po ashtu, shtoi se Arbër Hoxha edhe pse nuk ka luajtur në minutën e parë në ndeshjet e Evropianit, futbollisti është i rëndësishëm për ekipin e kombëtares.
“Kombëtarja është e hapur gjithmonë dhe kushdo që vjen, ka dëshirën dhe motivimin e duhur. Nëse nuk ka dëshirë për të luajtur me fanellën e Kombëtares, nuk vjen fare. Uzuni dhe Ismajli janë shumë të karikuar, nuk kam fare merak. Të gjithë lojtarët janë gati. Ne sot kemi një stërvitje. Nuk ka nisur ende Arbër Hoxha ndonjë ndeshje nga minuta e parë, por e kemi ndjekur nga marsi. Aty nisi udhëtimi i tij në Kombëtare. Është shumë i rëndësishëm për ekipin, por të shohim”, u shpreh Sylvinho.
Ndërsa përsa i përket skemës për ndeshjen, trajneri tha se ajo do të përcaktohet pas caktimit të formacionit, bazuar edhe në karakteristikat e lojtarëve. Sylvinho tha se të gjithë lojtarët janë përgatitur për të dhënë maksimumin në këtë ndeshje.
“Ne për 1 vit e gjysmë kemi luajtur me 4-3-3 dhe 4-2-3-1. Ne i përshtatim skemat sipas karakteristikave që kemi te lojtarët. Mund të punojmë edhe me skemën 4-4-2. Uzuni mund të luajë sulmues qendror. Kemi lojtarë të fortë. Duke njohur karakteristikat e lojtarëve mund të përshtatim edhe skemat. E kam thënë edhe më parë, në ndeshjen e fundit ndaj Moldavisë, na mjaftonte një barazim, por nuk mendoj se ka ndonjë trajner që mendon për barazim. Gjithmonë mendohet për fitore. Ne do futemi në fushë për të luajtur shumë fortë dhe për të marrë maksimumin nga kjo ndeshje. Të gjitha ekipet e grupit kanë luajtur në Europian. Aty është maksimumi. Liga e Kombeve është ndryshe. Jam i shqetësuar sepse lojtarët vijnë me pak ndeshje dhe pak pushime. E rëndësishme është që lojtarët të besojnë se duhet dhënë më e mira dhe të marrin maksimumin”, përfundoi trajneri i kombëtares.
Gjatë konferencës për shtyp, të trajnerit Sylvinho prezent ishte edhe Ylber Ramadani, i cili u shpreh se në skuadër ka harmoni mes njëri-tjetrit dhe se të gjithë janë të përgatitur të japin më të mirën në fushë.
“Atmosfera e ekipit është fantastike, jemi shumë të përqëndruar. Nesër na pret një ndeshje shumë e vështirë. Atmosfera e grupit është e mirë. Jemi gati, e kemi studiuar Ukrainën, e dimë pikën e fortë. Shpresoj që nesër të marrim rezultat pozitiv. Ne kur jemi në ekip jemi profesionist. Gjithmonë përqëndrohemi maksimalisht që të japim maksimumin. Jemi të përqëndruar për të bërë një ndeshje shumë të mirë. Ne jemi stërvitur shumë mirë gjatë javës, e dimë cfarë kundërshtari na pret nesër. Jemi të përqëndruar për të dhënë maksimumin dhe për të marrë rezultat pozitiv”, tha Ramadani.
Mbrojtësi i kombëtares shtoi se edhe lojtarët e rinj janë përshtatur dhe po stërvitën çdo ditë me njëri-tjetrin. Ai tha se dhe ata janë gati të hyjnë në fushë dhe të japin maksimumin e tyre.
“Medonin e shikoj çdo ditë në stërvitje, punon shumë, është profesionist. Është lojtar i ri për të ardhmen, është shumë gati për të dhënë maskimumin e tij. Lojtarët e rinj janë përshtatur mirë, janë duke bërë mirë në stërvitje si gjithë ne. Unë e kam parë që na kanë nxjerrë më pak të kuotuorit. Forca jonë është grupi, jemi ekip cilësor, do të bëjmë gjithçka për të arritur në krye të grupit”, shtoi ai.
Ndeshja Ukrainë-Shqipëri, do të luhet ditën e shtunë më 7 shtator.