Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka zbuluar se çfarë bisedoi me Donald Trump që mund të vendosin fatin e luftës.
Ky takim është konsideruar nga mediat si i “ftohtë” mes dy zyrtarëve. Kjo vjen pasi ish-presidenti amerikan u mburr në mënyrë të çuditshme për “marrëdhëniet e tij shumë të mira” me liderin rus Vladimir Putin para mediave dhe presidentit ukrainas, shkruan The Sun.
Dyshja u takuan në Trump Tower në Nju Jork dhe diskutuan për luftën, e cila vazhdon, ndërsa dita e zgjedhjeve të nëntorit në SHBA po afron.
Në një intervistë të mëvonshme me Fox News, Zelensky zbuloi se çfarë i kërkoi Trump gjatë takimit të tyre.
“Më bëri shumë pyetje”, u shpreh Zelensky.
“Trump pyeti; Çfarë shihni tani, si është situata në fushën e betejës? Si e shihni mbështetjen nga Shtetet e Bashkuara? Pse mendoni se Putini filloi pushtimin?”, tha Presidenti ukrainas.
Zelensky gjithashtu u shpreh se Trump i tha atij se mbështet Ukrainën dhe “ai do të jetë në anën tonë, se ai do të mbështesë Ukrainën”.
“Unë mendoj se ne e kuptojmë më mirë se të gjithë, përfshirë Donald Trump, se çfarë po ndodh në Ukrainë dhe si ta ndalojmë Putinin”, deklaroi ndër të tjera Zelensky.
Për muaj të tërë, Donald Trump ka kritikuar mbështetjen e SHBA-së për Ukrainën.