Sekretari i Përgjithshëm, Blendi Klosi pasi ditën e djeshme ka zbuluar emrat të cilët janë zgjedhur nga votimi për organet e larta drejtuese të Partisë Socialiste, i ftuar në “Shqipëria LIVE”, bëri një analizë më të thellë.

Ndër të tjera, ai i dha rëndësi vendimit për më shumë se një drejtues në Tiranë dhe foli për votën e diasporës, drejtuesi politik i të cilës është Taulant Balla, ku tha se i kanë dhënë rëndësi të veçantë, për ta bërë reale.

“Ne synojmë të bëjmë reale votën e diasporës, ta ndjekim në krijimin e strukturave të forta”, tha Sekretari i Përgjithshëm.

I pyetur nga moderatorja Sidorela Gjoni, se përse ka tre drejtues për Tiranën nga ana e PS, ndërkohë që nga opozita është vetëm Belind Këlliçi, Klosi tha se ‘Tirana është beteja më e madhe dhe kështu e kanë gjykuar’.

“Është garë, secila forcë politike ka strategjitë e saj. Partia Demokratike e ka gjykuar me një drejtues, ne mendojmë se duhet të jetë më shumë. Duhet të kemi edhe shumë forca, edhe nga figurat e rëndësishme. Do të ketë shumë forca që do garojnë meqë është dhe hapësira e madhe, në Tiranë kërkohet ai numri i nevojshëm”, u përgjigj Klosi.