“Një privilegj dhe një shpërblim të punëve që kanë transformuar Tiranën”, kështu e vlerësoi kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj pjesëmarrjen e kryeqytetit shqiptar në panelin e OKB-së për Zhvillimin e Qëndrueshëm të Qyteteve në Nju Jork. Paneli koordinohet nga kryebashkiakët e Parisit dhe Rio de Janeiro dhe ka për qëllim zhvillimin e mekanizmave inovativë dhe reformave politike për të siguruar akses më të madh të qyteteve në financimin e qëndrueshëm.
Nga Nju Jorku, ku ishte i ftuar në Komisionin për Zhvillimin e Qendrueshëm Urban, Veliaj tha se Tirana do të vijojë të investojë te mbjellja e pemëve, korsitë e biçikletave dhe hapësirat pedonale. “Ka qenë një javë e jashtëzakonshme në Nju Jork, ku Tirana është bërë pjesë e panelit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për qytetet. Një panel i cili përfshin kryetarë bashkie nga Rio de Zhaneiro në Paris, dhe për Tiranën tonë është një privilegj i jashtëzakonshëm që jemi në këtë nivel dhe shembullin tonë mund ta ndajmë me të tjerët. Tirana nuk është perfekte, por pemët që janë mbjellë, korsitë e biçikletave, hapësirat pedonale që janë krijuar te sheshi “Skënderbej”, te Pazari i Ri, Liqeni i Farkës, Liqeni i Tiranës, kanë kontribuar që ajri të jetë më i shëndetshëm, që turizmi të rritet, që Tirana të quhet një vend që, jo vetëm po zhvillohet, por zhvillohet në një mënyrë të qëndrueshme, pa dëmtuar natyrën”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku e quan një lajm të rëndësishëm angazhimin që siguron akses më të madh të qyteteve në financimin e qendrueshëm. “Më vjen mirë që jemi shpërblyer për mundin dhe punën e jashtëzakonshme të qytetarëve të Tiranës, ata që kanë mbjellë pemë, ata që kanë respektuar këto ndryshime të mëdha të qytetit tonë”, shtoi ai.
Nga Nju Jorku Veliaj vjen edhe me tre projekte të reja, që janë dakordësuar me Kryetarin e Bordit të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, Michael Granoff.
“Ne do të vazhdojmë të përdorim shembullin e Tiranës si një mënyrë për të tërhequr më shumë investime, më shumë turistë, dhe për t’u siguruar se ato histori suksesi që kemi parë në Tiranë t’i shumëfishojmë. Në mbledhjen e fundit me Fondin Shqiptaro-Amerikan, vendimmarrja për të pasur disa shtigje që i lidhin të dyja mushkëritë e Tiranës, Parkun e Farkës me Parkun e Liqenit Artificial dhe atë të Liqenit të Thatë, shkon me këtë vizion. Më vjen mirë që për çështje të klimës dhe të mjedisit kemi marrë këto vendime. Ndërkohë, bashkë me Fondin shqiptaro-amerikan do të njoftojmë në muajin tetor dy partneritete të reja, – pas Micro Folie dhe qendrës ‘Tumo’ te Piramida, që i shërbejnë fillimisht fëmijëve të vegjël dhe pastaj adoleshentëve nga 12-18 vjeç, – për të vijuar me fazën tjetër të shërbimeve digjitale, si qyteti numër 1 sot në botë, i cili ofron shërbime digjitale, mësime digjitale për punët e të ardhmes totalisht falas. Pra, pas Tumo-s ne duam të vazhdojmë me #ECOLE42, – Shkolla 42 e Parisit – gjë që e kemi kaluar me vendim të këshillit bashkiak, për ta pasuar pastaj me qendrën amerikane “Plug & Play”, shtoi Veliaj.
Pas vlerësimi në top 10 kryeqytetet evropiane më të gjelbra nga Agjencia Europiane e Mjedisit, Veliaj tha se me zbatimin e projekteve të reja synon që Tirana të konsiderohet si qyteti i punëve të së ardhmes. “Besoj fort që Tirana, jo vetëm do të jetë Qyteti Mesdhetar i Kulturës vitin tjetër, por do të shquhet si një qytet i gjelbër, si qyteti i Turizmit, dhe qytet me njohuri digjitale për punët e të ardhmes”, nënvizoi ai.
Duke u ndalur te takimet që zhvilloi së bashku me kryeministrin Rama me shqiptarët në Nju Jork, kryebashkiaku i Tiranës tha se pati vlerësime për mbajtjen e premtimin për të mundësuar votën e diasporës. “Jam vërtet i impresionuar nga mënyra se si i gjithë komuniteti i shqiptarëve në SHBA, në takimin me kryeministrin, por dhe në takime të tjera më të vogla, kanë shprehur mbështetjen për atë vendim të jashtëzakonshëm të shumicës tonë për të mbështetur votën e emigrantëve, një iniciativë që e kemi filluar që në vitet 2009-2010. Mbaj mend teksa artikulonim për herë të parë votën e emigrantëve, sot është bërë realitet, është një premtim i mbajtur. Pavarësisht se si do të votojë diaspora, unë besoj se jemi krenarë si skuadër dhe si shumicë që kemi mundësuar këtë vendim historik për Shqipërinë”, shtoi më tej kryebashkiaku.