Gjin Gjoni nuk ka vendosur dot rendin në mbledhjen e parë të organizuar me strukturat e Partisë Demokratike në Lezhë, ku sekretari i Përgjithshëm Flamur Noka prezantoi përballë demokratëve drejtuesin e ri politik, Agron Gjekmarkaj. Demokratët e Lezhës kanë shprehur hapur pakënaqësinë e tyre duke shkaktuar përplasje të forta në mbledhjen e zhvilluar pasditen e sotme në selinë blu të qytetit.
Caktimi i Gjekmarkaj si drejtues politik nuk u ka pëlqyer demokratëve të Lezhës, disa prej të cilëve kanë kërkuar zhvillimin e “primareve” për të zgjedhur vetë përfaqësuesin e tyre. Madje kanë kërcënuar se nëse Gjekmarkaj qëndron në të njëjtin post, nuk do të bëjnë fushatë për Partinë Demokratike.
Demokrati: Për debat kam ardhur këtu! I kam dhënë voton Agron Gjekmarkajt. Unë dua me fituar, nuk du me humb.
Noka: Janë dhjetra burra e gra këtu dhe nuk ta kanë borxh.
Demokrati: Unë e mbroj votën time.
Noka: Nuk mund të mbash peng ti…
Demokrati: Do ti mbaj peng! Unë kam 30 e ca vjet në opozitë me ju. Ju i thoni elektoratit rrena. Sali Berisha a ka deklaruar më 11 janar që tha me primare? Pse nuk na sjell primaret ne që të votojmë kë të duam ne?
Tjetër demokrat: Ka 3 vjet që asnjë demokrat nuk e ka parë këtu. Përtej fjalës politike që jam me Lulin, jam me Salën. Pastaj rrotullohet sa rrotullohet edhe…Ne nuk dalim në fushatë asnjë, nëse Gjekmarkaj vendoset drejtues politik. Që sot, nëse vendoset që të jetë ai, unë them mirëupafshim. Kam 7 seksione dhe asnjë, më kanë thënë po na erdhi listë e mbyllur Agron Gjekmarkaj nuk dalim në fushatë. Unë nuk do të bëj fushatë vetëm.
Në mbledhje, ka tentuar që të shuajë gjakrat sekretari i Përgjithshëm, Flamur Noka, i cili ka mohuar se ka pasur pakënaqësi në prezantimin e Gjekmarkajt. Edhe pse, këto pakënaqësi janë kapur edhe me pamje filmike brenda sallës së mbledhjes.
“U prezantua drejtuesi politik. Sali Berisha, Partia Demokratike i ka sjellë Lezhës një intelektual brilant të kalibrit të lartë. I ka sjellë nënkryetarin e partisë, nënkryetarin e Kuvendit, pra një nga figurat politike më të larta të kësaj partie. Njeriun që i bën nder Lezhës, është njeri i mendjes, i penës, nuk krahasohet me Ulsiun. Shihni si e trajton Lezhën Edi Rama që sjell një anëtar të një grupi kriminal dhe si e trajton Sali Berisha që sjell një intelektual. Asnjë kontestim nuk ka pasur. Ka pasur diskutime për aksionin dhe strategjinë e aksionit, si do të bëhemi të gjithë bashkë për të mundur të keqen,”- tha Noka.
Agron Gjekmarkaj ka dalë deputet nga listat e PD në zgjedhjet e 25 prillit 2021, por atëherë ishte i dyti në listë pas pedagogut Mark Marku, i cili la mandatin edhe pse u zgjodh deputet. Të dy ishin caktuar nga Lulzim Basha si drejtues politikë të qarkut. Tani që Gjekmarkaj rikthehet në detyrën e mëparshme duket se nuk pranohet nga demokratët që nuk ia kanë harruar qëndrimet që ai ka mbajtur gjatë periudhës 2-vjeçare të përplasjes mes kampeve pro-Berisha dhe pro-Basha. Gjekmarkaj ishte kundër Berishës, qëndrim që e ndryshoi. Madje u shpërblye me postin e drejtuesit politik dhe atë të nënkryetarit të PD-së me “motivacionin” se kishte ngritur çështjen e arrestimit të Sali Berishës në takimet e tij jashtë vendit. Por nëse Berisha ka harruar qëndrimet pro-Basha të Gjekmarkajt, demokratët e Lezhës, duket se e kanë memorien më të gjatë.