Gjuha shqipe mund të mos të jetë më gjuhë zyrtare në Maqedoninë e Veriut.
Gjykata Kushtetuese në Maqedoni do të vendosë në shtator nëse do ta lërë në fuqi apo do ta shfuqizojë ligjin për gjuhën shqipe.
Lidhur me këtë temë është diskutuar ditën e sotme, në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Arbër Hitaj, ku Artan Grubi, shef kabineti i kryetarit të BDI në një lidhje skype për emisionin, u shpreh se nëse gjykata vendos për shfuqëzimin e ligjit, sipas tij kjo do të jetë diçka e rëndë.
“Kur ke në qeverisje partnerin koalicionues shqiptar që ka humbur zgjedhjet dhe pushteti i tyre është më i vogël dhe rrjedhimisht bie edhe përdorimi i gjuhës shqipe. Kjo iniciativë ka për qëllim të shqyqëzojë ligjin për gjuhën shqipe, ku një kontributë ka pasur edhe qeveria shqiptare me në krye kryeministrin Edi Rama dhe tani del gjyqtari i kushtetueses dhe thotë se ka mundësi që të shkurtohet ligji për përdorimin e gjyhës shqipe sepse paska shkaktuar një kaos në legjislacionin vendor, që nuk është aspak e vërtetë. Në shtator ose në tetor gjykata do të vendos dhe nëse vendos se ka një cënim, atëherë kjo do të jetë një gjë e rëndë”, tha ai.
Grubi tha se do të ketë një sensibilizim të opinionit publik kundër asaj që ai e cilësoi si poshtërim që po i bëhet shqiptarve në Maqedoni. Sipas tij, do të organizohen edhe protesta.
“BDI dhe Ali Ahmeti është fitues i zgjedhjeve dhe shohim se kjo i pengon elitat maqedonase, por ne nuk do ta lëmë fatin e shqiptarëve në duart e disa hysmetqarëve që ata kanë zgjedhur për ti përfaqësuar. Ne do të sensibilizojmë opinionin publik kundër poshtërimit që po i bëhet shqiptarëve dhe poshtërsimet e përditëshme institucionale dhe kjo pakënaqsi do të kthehet edhe në protesta në Maqedonin e Veriut, gjithmonë demokratike dhe jo të dhunshme për këtë mëpërkëmbje që po i bëhet shqiptarëve këto muajt e fundit”, tha ai.
Ligji i miratuar në vitin 2018 për dygjuhësinë parashikon që gjuha shqipe të jetë zyrtare jo vetëm në komunat me të paktën 20% të popullsisë shqiptare, por edhe në nivel kombëtar.