Ylber Ramadani veçohet nga Uefa si një ndër lojtarët që ka vrapuar më shumë në fushë në EURO 2024.

Mesfushori kuqezi është një prej lojtarëve më të rëndësishëm që kombëtarja shqiptare ka dhe së fundmi cilësitë e tij janë vënë re dhe nga qeveria e futbollit Europian.

Në raportin e fundit , të publikuar nga UEFA, Ylber Ramadani është një nga futbollistët që ka përshkruar më shumë kilometra në fushë në ndeshjet e zhvilluara me Shqipërinë në finalet e Kampionatit Europian. Ai ka një mesatare prej 12.51 km për ndeshje dhe është renditur i pesti në klasifikimin e lojtarëve që ka vrapuar më shumë në fushë.

Maratonomaku shqiptar ka lënë pas emra të mëdhenj të futbollit europian si Granit Xhaka, Declan Rice apo Joshua Kimmich. Pa dyshim, një arritje jo vetëm për Ylber Ramadanin, por edhe për kombëtaren shqiptare. Tekniku Silvinjo e ka kthyer në një pikë referimi futbollistin si dhe një titullar të pazëvendësueshëm për ekipin tonë kombëtar.