Nis zyrtarisht puna përgatitore e Partisë Socialiste për zgjedhjet e 2025-ës. Drejtuesit Politikë të Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe Ogerta Manastirliu, zhvilluan një takim me anëtarët socialistë të Njësisë 6, për të dhënë porositë e para. Veliaj tha se mezi pret që në Kombinat të thyhet rekordi prej 60% të votave për PS, i cili u arrit në zgjedhjet e fundit. Ai nënvizoi faktin se teksa kundërshtarët politikë humbasin kohë duke u ankuar për betejat e humbura, Partia Socialiste fiton kohë për t’u përgatitur për betejat e ardhshme.
“Ata janë si në Big Brother, thonë kë do nxjerrin nga shtëpia. Kurse ne kemi filozofi tjetër. Ne themi: Të vijë edhe ai që mendonte ndryshe nga ne, që të na japë një dorë. Le të marrë edhe kushërinjtë, krushqinë, që të na japin një dorë. Të flasim edhe me ata që kemi në diasporë, që të na japin një dorë. Të sigurohemi që të mblidhemi të gjithë, pavarësisht se nuk ishin te fitorja jonë e fundit me 60%, që të jemi 60% plus herën tjetër. Kjo është diferenca. Ne themi kë do afrojmë në këtë fushatë të jashtëzakonshme, që është për zemrat, për mendjet e njerëzve. Sot jam kaq i lumtur që, bashkë me Ogertën, përveshim mëngët për të filluar zyrtarisht përgatitjen për fitoren tonë të vitit 2025-ës”, tha Veliaj.
Këto zgjedhje, Veliaj i cilësoi si “Lojëra Olimpike në Politikë”, ku për sa kohë Partia Socialiste e Shqipërisë ka besimin e njerëzve dhe punon çdo ditë për të çuar vendin përpara, drejt vizionit për Shqipërinë e 2030-ës, do të jetë sërish fitimtare. “PS 2030 për “Shqipërinë 2030”. Për sa kohë që Shqipëria i ka bërë detyrat, për sa kohë që kryeministri dhe kryetari ynë i partisë ia ka ngritur kokën lart Shqipërisë, atëherë për sa kohë që është vendosur që Shqipëria do të trajtohet më vete për hyrjen në BE, 2030-ta është synimi ynë dhe ky mandat është për ta bërë Shqipërinë anëtare të BE-së, për ta ngritur flamurin tonë në atë oborr në Bruksel, ku janë të gjitha kombet e zhvilluara të BE-së”, tha ai.
Nga ana e saj, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu tha se Partia Socialiste do të mbështetet vetëm te punët e mira që ka bërë. “Fitorja e Partisë Socialiste do të mbështetet te punët e mira që kemi bërë, por është shumë e rëndësishme çfarë do të bëjmë nga tani e tutje për të garantuar fitoren, për të garantuar mandatin e katërt të Partisë Socialiste. Arritëm që të çonim pagën mesatare në administratën publike në 900 euro, paga mesatare sot për mësuesit është 950 euro, rritëm pagat për mjekët, për infermierët. Ndaj ne duhet ta fitojmë mandatin e katërt për të vazhduar rritjen e pagave dhe mbi të gjitha për të mbështetur pensionistët, për të cilët një grup pune është ngritur dhe po punon për të vlerësuar dhe më pas për të bërë realitet mbështetjen për pensionistët, për të moshuarit, që në fakt janë dhe forca dhe mbështetja më e madhe e të gjithëve ne”, u shpreh Manastirliu.
Ndërkaq, Veliaj nënvizoi se ambicia për mandatin tjetër të PS-së është rritja më e madhe e pensioneve dhe rrogave të shqiptarëve. “Njerëzit duan të çojnë një rrogë në shtëpi, duan të çojnë një pension. Tani që ekonomia është më mirë, jemi në fazën kur mund të ketë një reformë pensionesh edhe për ata mbas 2015-ës, por sidomos për ata para 2015-ës, duke u siguruar që të marrin një pension dinjitoz. Por, edhe rrogat. Sot, falë lidershipit të jashtëzakonshëm të Ogertës, mbështetjes së Kryeministrit Edi Rama, mësuesit janë një nga kategoritë më të vlerësuara nga publiku. E njëjta gjë me mjekët, e njëjta gjë me profesionet e tjera. Kjo iniciativë e kryeministrit, e qeverisë, e PS-së, për t’u siguruar që kjo rritje ekonomike i ndihmon të gjithë, përfitojnë të gjithë, i mbështet të gjithë, është arsyeja përse ne jemi në këtë betejë. Për pensionet, për rrogat, për investimet dhe për “Shqipërinë 2030-të””, nënvizoi Veliaj.
Në fund, drejtuesi politik për Qarkun e Tiranës ndau disa lajme të mira për Kombinatin. Ai tha se kundërshtarët politikë që nuk fituan asnjë qendër votimi në Kombinat, vetëm kanë penguar punët e mira që Partia Socialiste e Shqipërisë ka bërë aty.
“Kombinati ishte zona që u prek më shumë nga tërmeti, që vuajti më shumë nga fatkeqësia, ku edhe infrastruktura e regjimit të kaluar ishte më e dobëta. Do të thotë se i gjithë Kombinati ishte vetëm nëj tërmet larg, ishte vetëm çështje kohe. E pamë sesi u përdor Kombinati, edhe LSI-ja në vakt, edhe PD-ja, me atë mentalitetin “përça dhe sundo”. Hidh në gjyq që të mos prishet pallati, të rrinë njerëzit nëpër rrënoja, shko në gjyq blloko ndërtimet e reja, shko dhe saboto çdo projekt të Kombinatit. Ja ku jemi sot, nuk do mbyllet ky vit pa futur të gjitha familjet në shtëpitë dhe pallatet e reja në Kombinat”, përfundoi Veliaj.